Grabiten 20 euro nën kërcënimin e thikës në Pejë, policia arreston tre persona

Policia e Kosovës ka arrestuar tre persona të dyshuar për veprën penale “grabitje”, e ndodhur më 10 nëntor 2025 në rrugën “Tahir Zemaj” në Pejë.
Sipas njoftimit nga Drejtoria Rajonale e Policisë në Pejë, rasti është raportuar rreth orës 03:40 të mëngjesit, kur një qytetar ka informuar se ishte sulmuar dhe grabitur.
“Viktima e rastit është sulmuar fizikisht dhe nën kërcënimin e një mjeti të mprehtë (thikë) i janë grabitur 20 euro,” thuhet në njoftimin e policisë.
Më tej, policia bën të ditur se viktima është futur me dhunë në veturën e tij, të cilën më pas njëri nga të dyshuarit e ka vozitur në drejtim të Deçanit. Gjatë arratisjes, vozitësi dyshohet se ka humbur kontrollin mbi automjetin, duke shkaktuar një aksident.
Pas një pune intensive hetimore, njësitë e Stacionit Policor në Pejë kanë arritur të identifikojnë dhe të arrestojnë tre të dyshuarit.
“Gjatë kontrollit, tek të dyshuarit janë gjetur dhe sekuestruar 20 euro, një mjet i mprehtë (thikë), tre telefona mobilë dhe dy vetura që dyshohet se ishin të përfshira në rast,” ka konfirmuar policia.
Pas intervistimit, me urdhër të prokurorit të shtetit, tre të dyshuarit janë dërguar në mbajtje për 48 orë. /Telegrafi/







































