Google mund ta vjedhë të gjithë internetin

Nga: Andrew Orlowski / The Daily Telegraph
Përkthimi: Telegrafi.com
Google na ka treguar se si mund të duket fundi i internetit. Këtë e quan, AI Mode [Modaliteti IA]. Që nga e marta, në vend që të shfaqen dhjetë vegëza të kaltra drejt faqeve të palëve të treta kur kërkon në Google, përdoruesit do të shohin përmbledhje të informacioni të krijuara nga inteligjenca artificiale (IA).
Google thotë se kjo “ju lejon të bëni, që në fillim, pyetje të nuancuara për të cilat do të nevojiteshin disa kërkime të ndara”. Ndonjëherë, këto përmbledhje kanë vlerë - siç është treguar nga startapi i IA-së, Perplexity.
Megjithatë, ky ndryshim ka pasoja katastrofike ekonomike për shkak të pozitës dominuese të Google-it mbi atë që shohim në ueb; modaliteti i IA-së e heq nevojën për të vizituar faqen që ka krijuar materialin origjinal. Duhet kujtuar se verën e kaluar Google u shpall fajtor nga një gjykatë federale amerikane për mbajtje monopoli.
Një studim analitik i javës së kaluar sugjeroi se faqja që renditet më lart në Google me vegëza të kaltra, humb 79 për qind të trafikut të saj pasi futen përmbledhjet me IA. Sondazhet e tjera sugjerojnë shifrat edhe më të larta: deri në 96 për qind.
Kështu nuk ishte menduar fundi i internetit. Vizioni origjinal që pati Sir Tim Berners-Lee ishte ai i një teknologjie të botimit të shpejtë, një bisede të dyanshme të ngjashme me telefonin. Kur Google ishte në nismë, premtoi të mos na zinte rrugën.
“Dëshironim që njerëzit të kalonin sa më pak kohë në Google. Sa më shpejt të merrnin rezultatet, aq më shumë do ta përdornin”, ka thënë themeluesi Larry Page në vitin 2004. Por, tani, Google është bërë si [kënga] Hotel California e [grupit] Eagles - nuk mund të largohesh kurrë.
Kjo përputhet me një industri shfrytëzuese që merr shumë nga botuesit, por jep shumë pak si kompensim. IA-ja e përkeqëson këtë në mënyrë. IA-ja gjeneruese thyen një kontratë të pashkruar shoqërore që ka ekzistuar që në fillimet e biznesit: që blerësi duhet të kujdeset për mirëqenien e furnitorëve të vet.
Por, IA-ja po i zëvendëson plotësisht furnitorët: një analogji do të ishte të hash farat e të mbjellave. Duke përvetësuar gjithçka, nga bibliotekat e tëra kërkimore te gazetat, nga YouTube te veprat e çdo galerie, IA-ja mund të krijojë përngjasime të përpunuara dhe t’i prodhojë ato pafundësisht. Google gjithashtu mund të ndëshkojë faqet që nuk lejojnë të kopjohen duke i zhdukur nga rezultatet e kërkimit - një dënim praktikisht me vdekje për to.
Ish-inxhinieri i Facebook-ut, Georg Zoeller - i cili këshillon gjithashtu qeveritë aziatike për IA-në - thotë se inteligjenca gjeneruese artificiale nuk është gjë tjetër veçse pirateri e maskuar me reklamë. “Modelet e mëdha të gjuhës janë thjesht depozita, dhe gjithçka që bëjnë është të ngjeshin njohuritë”, thotë ai. “Industria do të ishte vrarë që në embrion po të thoshte të vërtetën, nëse njerëzit do të kuptonin se pas botit qëndron një Napster [program i parë për pirateri të muzikës]”. Truku magjik është mënyra se si IA-ja e maskon këtë vjedhje.
Google thotë se rezultatet e vjetra të kërkimit do të jenë ende të qasshme - nëse doni ose nëse arrini t’i gjeni. Autoriteti i Konkurrencës dhe i Tregjeve në Britani (CMA) ka hetuar përdorimin nga kompania të IA-së gjeneruese, por zgjidhjet e saj deri tani janë shumë të vakëta dhe po kërkon mendime nga publiku. CMA-ja gjithashtu konstaton se bizneset britanike po paguajnë një çmim shumë të lartë për të ruajtur dominimin e Google-it në fushën e reklamave: kompanitë britanike të listuara publikisht shpenzojnë 10 miliardë paundë [11.56 miliardë euro] për reklama në Google - një shumë që CMA-ja sugjeron se është shumë më e lartë se në një treg konkurrues të reklamave digjitale. CMA-ja mundet dhe duhet të bëjë shumë më tepër për të frenuar këtë gjigant grabitqar, që bizneset britanike të internetit të kenë mundësi të mbijetojnë. /Telegrafi/

















































