Gonzalo Garcia në dilemë: Getafe mund të përfitojë dhe është në pritje, Real Madridi ka sulm të mbipopulluar

Real Madridi po përqendrohet te menaxhimi i numrit të madh të lojtarëve në skuadër, pas përforcimeve të fundit që e kanë çuar numrin e futbollistëve në 25, përfshirë edhe mbërritjen e Álvaro Carreras nga Benfica.
Kjo ka bërë që disa emra të jenë të mundshëm për largim gjatë kësaj vere – mes tyre edhe Gonzalo Garcia.
Sulmuesi 21-vjeçar ishte një nga zbulimet më të mëdha të madrilenëve në Kupën e Botës për Klube, ku shënoi 4 gola dhe dha 1 asist në 6 ndeshje në SHBA.
Performanca e tij i la mbresa Xabi Alonsos, por ende nuk ka një vendim përfundimtar nëse Garcia do të jetë pjesë e ekipit të parë për sezonin 2025/26.
Sipas AS, Garcia nuk do të kthehet te Castilla dhe nëse nuk do të ketë vend në ekipin A, atëherë klubi do t’i kërkojë një zgjidhje në formë huazimi. Në horizont është shfaqur Getafe, me të cilin Real Madridi ka një marrëveshje paraprake – në rast se lojtari largohet, destinacioni do të jetë pikërisht skuadra tjetër e Madridit.
Presidenti i Getafes, Angel Torres, e ka konfirmuar interesimin dhe marrëveshjen mes klubeve, ndërsa Garcia ka ngjallur interes edhe nga klubet e Ligës Premier, ndonëse një transferim i përhershëm në Angli nuk është prioritet në këtë fazë.
Nëse shikojmë konkurrencën në sulmin madrilen, Garcia ka përpara emra si Kylian Mbappe, Endrick, Vinicius, Rodrygo dhe Mastantuono – të gjithë të aftë të luajnë si sulmues qendrorë ose anësorë. Kjo e bën edhe më të vështirë për një lojtar të ri si ai të gjejë minuta.
Nëse Alonso zgjedh të mbajë profilin eksploziv të Mbappes dhe shkathtësinë e Viniciusit, atëherë Gonzalo mund të jetë i tepërt – dhe Getafe do të përfitonte nga kjo situatë. /Telegrafi/























































