Të mërkurën (24 prill), me fillim nga ora 16:00, do të zhvillohen ndeshjet e dyta gjysmëfinale të Kupës së Maqedonisë së Veriut, ku pritet të zgjidhen dy finalistët e këtij edicioni. Vëmendja kryesore do të jetë në Strugë, ku do të përballen dy skuadrat shqiptare: Struga Trim&Lum dhe Shkëndija e Tetovës, njofton Telegrafi.

Në ndeshjen e parë të zhvilluar në stadiumin e Tetovës, Struga arriti të marrë fitore me shumë vlerë (2-1), duke i dhënë vetes një epërsi të lehtë para sfidës së kthimit. Megjithatë, gjithçka mbetet e hapur, pasi Shkëndija njihet për karakterin e fortë dhe rikthimet dramatike në ndeshje të mëdha.


Përveç emocioneve sportive, kjo përballje mbart edhe një ngarkesë të veçantë, për shkak të rivalitetit tradicional mes dy klubeve më të suksesshme shqiptare në futbollin vendor. Struga kërkon finalen e dytë radhazi, ndërsa Shkëndija synon të rikthehet në skenën e madhe dhe të luftojë për trofeun që i mungon prej disa vitesh.

Në gjysmëfinalen tjetër, Vardari udhëton drejt Strumicës për t’u përballur me AP Brerën, pas fitores bindëse 3-0 në ndeshjen e parë. Me një epërsi komode, Vardari konsiderohet favorit për të siguruar kalimin në finale, ndonëse në futboll gjithmonë ekzistojnë befasi.

Finalja e madhe do të zhvillohet më 22 maj, dhe pas ndeshjeve të së mërkurës do të mësojmë emrat e dy skuadrave që do të luftojnë për trofeun e dytë me peshë, atë të Kupës së Maqedonisë së Veriut. /Telegrafi/

telegrafi sport app