Endrit Nika, i akuzuar se ka hedhur nga kati i gjashtë të një hoteli në Fushë-Kosovë të dashurën e tij argjentinase, sot më 22.01.2026 ka dhënë versionin e tij lidhur me këtë ngjarje.

Endrit Nika nga Prokuroria akuzohet se pas një mosmarrëveshjeje paraprake me të dashurën e tij M.K.U., me dashje që ta privojë nga jeta, e kishte nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur tanimë të ndjerën nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë, me ç’rast viktima kishte pësuar lëndime të rënda trupore dhe, përkundër trajtimit mjekësor, ajo kishte ndërruar jetë në QKUK.


I akuzuari Endrit Nika tha se tani të ndjerën për herë të parë e kishte takuar në Barcelonë gjatë kohës sa ai kishte qenë në pushime me shoqërinë e tij.

Ai tha se kur kishte takuar tani të ndjerën për herë të parë, ai ishte ndjerë sikur e kishte takuar shpirtin binjak.

Ai tha se disa herë kishte shkuar në Barcelonë për ta takuar tani të ndjerën, dhe pas 1 muaji e gjysmë që ishin njoftuar e ndjera kishte shkuar te ai në Zvicër për të bashkëjetuar më të.

Sipas Nikës, raporti i tij dhe tani të ndjerës kishte qenë shumë i mirë, dhe ata verën e vitit 2023 kishin ardhur bashkë në Kosovë për dasmën e vëllait të tij.

Ai raportet mes tij dhe tani të ndjerës i përshkroi si shumë të mira, ndërsa tha se në ditën kritike, konflikti mes tyre kishte filluar për shkak të xhelozisë së të ndjerës.

Ai tha se pas ahengut që kishte qenë në shtëpinë e tyre në Gllanasellë ata ishin nisur për të shkuar në hotelin ku kishin qëndruar në Fushë-Kosovë.

Nika tha se kur kishin mbërritur në parking para hotelit në Fushë-Kosovë tanimë e ndjera në veturë ia kishte derdhur një pije në kokë.

I akuzuari tha sa pas kësaj ishte munduar t’ia heqë nga dora pijen dhe të dytë kishin dalë nga vetura. Sipas Nikës tashmë e ndjera gjatë kohës kur kishin dalë nga vetura e kishte ofenduar, dhe më pas ai e kishte shtyrë me derë.

Tutje, Nika tha se pasi kanë shkuar në dhomë ai i kishte thënë të ndjerës që të qëndrojë në hotel ndërsa ai dëshiron të shkojë në shtëpinë e tij në Gllanasellë, por ai tha se tashmë e ndjera i kishte thënë të qëndrojnë bashkë.

I akuzuari tha se në momentin kritik kur ka ndodhur ngjarja ai kishte qenë në korridor, dhe tha se e kishte dëgjuar një zhurmë dhe pasi ishte kthyer në dhomë e kishte parë që xhami statik dhe tashmë e ndjera nuk janë.

“U nisa me marrë ni maicë dhe para derës së hymjes e nijta një zhurmë, tri zhurma kenë si me gjujtë najsen në tokë dhe u nal, s’u ni kurrgjë në dhomë. U ktheva prapë edhe e pash që xhami statik nuk është aty mo, nuk ishte në vendin e vet, pastaj e hapa një dritare këqyra poshtë dhe e pash që Clara është në tokë, ka ra”- deklaroi i akuzuari.

Pas kësaj i akuzuari tha se ka pësuar atak paniku.

“Prej atyshit m’kapi panika, ia nisi frymëmarrja dhe pisikita dy-tri herë: “Clara, Clara, Clara” dhe sapo e mbledha forcën u ula në krevat se m’u dok krejt si film, si andërr e keqe se qaty ke deri sa e mblodha veten”- tha i akuzuari.

Tutje, i akuzuari tha se ishte nisur për të shkuar poshtë te tani e ndjera.

“Shkova te Clara edhe aty shkova iu afrova ngat edhe do ujë ia qitsha mbi kry se e dijsha që s’guxoj me e prekë, tani unë fola me Clarën, m’tha: Thuju prindërve të mi se ju dua, edhe unë i thash: O zemër vet ki me ju thanë, veç mbledhe veten, bonu e fortë”- tha i akuzuari.

Nika tha se ai i ishte drejtuar recepsionistes së hotelit duke i thënë se si është e mundur që të shkëputet xhami statik dhe të bjerë një njeri.

Ai tha se në momentin kur ishte arrestuar nga Policia kishte qenë shumë i shqetësuar për gjendjen e tani të ndjerës.

Paraprakisht në seancën e sotme në cilësi të dëshmitares është dëgjuar doktoresha Blerina Gashi, e cila kishte qenë doktoresha në ekipin e urgjencës që kishte shkuar të vendi i ngjarjes për t’i ofruar ndihmë tani të ndjerës.

Ajo tha se më të pranuar telefonatën ajo bashkë me dy infermiere dhe me shoferin e autoambulancës ishin nisur për të shkuar te vendi i ngjarjes.

Gashi tha se kur kishte arritur ajo me ekipin e urgjencës në vendin e ngjarjes tani e ndjera kishte qenë në parking anash një veture e shtrirë dhe përreth saj kishte pasur xhama të thyer.

Ajo tha se kur ishte afruar te tani e ndjera ajo kishte pasur vetëdije, dhe pasi e kishin vendosur në autoambulancë ajo i kishte bërë disa pyetje tani të ndjerës.

“Gjatë rrugës kam biseduar me të ndjerën fillmisht e kam pyetur për emër dhe mbiemër në gjuhën angleze dhe më është përgjigjur, e kam pyetut sa vjet i ka, pas këtyre dy pyetjeve e kam pyetur se a ke dashtë me u hedh vetë? Më është përgjigjë veç me “jo” në gjuhën angleze. E kam pyetur pastaj: Atë ka shtyrë dikush? Prapë më është përgjigjur me: “Jo”” – tha dëshmitarja.

Ajo tha se veprimet e tyre kanë qenë monitorimi vazhdimisht në frymëmarrjen e viktimës dhe se a ka puls në mënyrë të vazhdueshme.

Dëshmitarja tha se nuk i kujtohet se çka i kanë dhënë si medikamente tani të ndjerës gjatë kohës sa kanë qenë në autoambulancë.

“Nuk më kujtohet se a i kam dhanë diçka, urdhëri ka qenë i tillë nëse gjindet vija venoze,.. I kam urdhëruar infermieret që të gjendet vija venoze të vendoset kanilla me medikamente, sipas protokollit i jepim tramadoll dhe metokloparmil,.. Nuk më kujtohet a është vendosë a jo diçka urdhrat kanë qenë po tani nuk po më kujtohet” – deklaroi dëshmitarja.

Ajo tha se pasi tani të ndjerën e kanë dërguar në Qendrën Emergjente në Prishtinë, e ka shkruar raportin dhe më pas janë larguar.

Ajo tha se ka menduar se do të thirret nga Policia apo nga Prokuroria që të japë dëshmi lidhur me rastin por meqë nuk ishte thirrur për këtë arsye nuk kishte shkuar që të japë dëshmi në mënyrë vullnetare lidhur me rastin

Trupi gjykues refuzoi propozimin e mbrojtjes për dëgjimin e dy infermiereve që kishin qenë me doktoreshën Blerina Gashi në ekipin e urgjencës me arsyetimin se dëshmitarja Blerina Gashi i ka dhënë të gjitha përgjigjjet.

Me propozim të prokurorit Armend Hamiti, seanca e sotme (22.01.2026) u ndërpre dhe e radhës u caktua për në muajin shkurt 2026, ku i akuzuari Endrit Nika pritet të vazhdojë mbrojtjen e tij.

Aktakuza në këtë rast po përfaqësohet nga prokurori Armend Hamiti.

Kjo çështje është duke u trajtuar në Departamentin e Krimeve të Rënda nga trupi gjykues i përbërë nga Gazmend Bahtiri (kryetar i trupit gjykues) dhe dy anëtarët, Gëzim Ademi dhe Alltëne Murseli.

DOSJA E PROKURORISË

Sipas aktakuzës së datës 11.02.2025, i pandehuri Endrit Nika po akuzohet se më 01.08.2023 në Fushë-Kosovë, në hotel “Sonoma”, pas një mosmarrëveshjeje paraprake me të dashurën e tij, tani të ndjerën M.K.U., paraprakisht e godet në vazhdimësi dhe tenton ta shkelë me veturë te parkingu jashtë hotelit, dhe pasi që hynë në hotelin – dhomën ku ishin duke qëndruar, i pandehuri Endrit Nika me dashje që ta privojë nga jeta tani të ndjerën ka vazhduar përleshjen dhe goditjet ndaj të dëmtuarës, duke e dërguar në qoshe të dhomës nga ku nuk ka pasur mundësi të largohet e dëmtuara dhe nga goditjet dhe shtyrjet që i ka bërë tani të ndjerës i pandehuri Nika e ka nxjerrë kornizën e dritares duke e hedhur nga dritarja e dhomës së hotelit nga kati i gjashtë, me ç’rast tani e ndjera M.K.U. ka pësuar lëndime të rënda trupore dhe përkundër trajtimit mjekësor e njëjta ka ndërruar jetë në QKUK.

Andaj për shkak veprimeve të lartpërmendura Endrit Nika nga Prokuroria po akuzohet se ka kryer veprën penale – vrasje e rëndë, raporton Kallxo.