Gjykata në Prizren shqyrton kërkesën e Prokurorisë për paraburgim ndaj të dyshuarit për vrasjen e vajzës së tij

Në Gjykatën Themelore të Prizrenit ka filluar seanca për caktimin e masës së sigurisë ndaj të dyshuarit për vrasjen e vajzës së tij në Prizren.
Lidhur me këtë rast, Prokuroria Themelore e Prizrenit ka kërkuar caktimin e masës së paraburgimit prej 30 ditësh për shtetasin turk, i cili dyshohet për kryerjen e tri veprave penale.
“Seanca për caktimin e masës së sigurisë për këtë rast ka filluar në ora 14:30. Prokuroria ka paraqitur kërkesë për caktimin e paraburgimit ndaj të dyshuarit për veprat penale “Vrasje e rëndë”, “Vrasje e mbetur në tentativë” dhe “Mbajtje ose posedim i paautorizuar i armëve””, ka bërë të ditur për Telegrafin zëdhënësi i Gjykatës Themelore të Prizrenit, Marcel Lekaj.
Ndërkohë, Prokuroria Themelore në Prizren ka njoftuar se ka kërkuar nga Gjykata Themelore në Prizren, caktimin e masës së paraburgimit në afat prej 30 ditësh, ndaj të dyshuarit M.G., (shtetas turk), për shkak të dyshimit të bazuar se i njëjti ka kryer veprat penale “Vrasja e rëndë”, “Vrasja e rëndë e ngelur në tentativë”, dhe Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve”, sipas Kodit Penal të Republikës së Kosovës (KPRK).
“Sipas kërkesës së prokurorisë, i dyshuari M.G., me datë 06.05.2025, rreth orës 05:30 min, në Rr. “Shote Galica” në Prizren, me dashje privon nga jeta vajzën e tij 15 - vjeçare, me mjet të mprehtë (thikë) të llojit “Bajonetë”, me ç ‘rast e njëjta ndërron jetë në vendin e ngjarjes. Më këto veprime, i dyshuari ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Tutje theksohet se “i njëjti, me dashje tenton t’i privoj nga jeta vajzën rreth 10 vjeçare, të cilës i shkakton lëndime të rënda trupore”, dhe se “më pas me po të njëjtën thikë e godet edhe bashkëshorten e tij, duke vënë me dashje në rrezik jetën e tyre”.
“Me këto, veprime i dyshuari ka kryer veprën penale “Vrasja e rëndë e ngelur në tentativë”. Po ashtu, i njëjti ngarkohet edhe për veprën penale “Mbajtja në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve” sipas KPRK-së”, thuhet në njoftim.
Personi i dyshuar, me inicialet M.G., sipas Prokurorisë, gjendet në ndalim 48 orësh nga data 06 maj 2025.
Policia e Kosovës të mërkurën në raportin 24 orësh ka bërë të ditur se një i dyshuar, shtetas i Turqisë, ka sulmuar me mjet të mprehtë dy vajzat e tij, ku njëra prej tyre nuk u ka mbijetuar plagëve dhe ka vdekur në vendin e ngjarjes, ndërsa, tjetra ka pësuar lëndime trupore. Sipas njoftimit lëndime ka pësuar edhe bashkëshortja e të dyshuarit respektivisht nëna e viktimës si dhe vet i dyshuari.
“Vdekjen e viktimës e ka konstatuar ekipi mjekësor në vendin e ngjarjes ndërsa e lënduara tjetër është dërguar në QKUK për trajtim mjekësor dhe sipas mjekëve është në gjendje stabile. Në vendin e ngjarjes, përveç njësive policore ka dalë edhe prokurori i cili ka urdhëruar që trupi i pajetë i viktimës të dërgohet në obduksion, ndërsa i dyshuari është arrestuar dhe dërguar në mbajtje. Rasti në hetime”, thuhet në njoftimin e Policisë së Kosovës. /Telegrafi/




















































