LAJMI I FUNDIT:

Gjithçka që i ka mbetur Vladimir Putinit është kulti ogurzi i fitores

Gjithçka që i ka mbetur Vladimir Putinit është kulti ogurzi i fitores
Foto: Natalia Kolesnikova/AFP/Getty Images

Nga: Kirill Martynov, kryeredaktor i “Novaya Gazeta Europe”, gazetës së pavarur në gjuhën ruse / The Guardian
Përktheu: Agron Shala / Telegrafi.com

Vladimir Putini lindi shtatë vjet pas përfundimit të Luftës së Dytë Botërore dhe, gjatë kohës së Brezhnjevit, u rrit me mitin e fitores së madhe. Burrit pa arsimim të mirë, i pëlqente t’i citonte filmat sovjetikë dhe rrëfimet e vjetra. Librat e historisë e portretizuan “luftën e madhe patriotike” si përrallë magjike në të cilën heroi – populli rus – e mposhti një përbindësh, për zilinë e gjithë botës. Në këtë mit nuk kishte vend për shumë fakte aktuale të luftës, si pakti Molotov-Ribbentrop, lufta me Finlandën, pushtimi i Baltikut. Miti e injoroi dëbimin e miliona polakëve. Nuk e shfaq të vërtetën as për fushatën e Rzhevit të dimrit 1942-43, ku ushtria sovjetike pësoi humbje të tmerrshme, por preferoi të ndalet në fitoret që u rrëfyen për Moskën dhe Stalingradin.

Miti i manifestuar në Ditën e Fitores së Rusisë, është narrativa kryesore që mbështet planin e Putinit për të sunduar përjetësisht me Rusinë.


Erdhi momenti kur Putini vendosi të qëndrojë në pushtet për kohë të pacaktuar. Zgjedhjet vinin e shkonin e ai gënjente se ishin të fundit, se nuk e kishte ndërmend ta ndryshonte kushtetutën e kohës së Rusisë së vitit 1993, që parashikonte maksimum dy mandate radhazi. Strategjia e tij e parë për sundim të përjetshëm ishte t’ia lejonte qytetarëve të bëhen të pasur, meqë vendi u bë më i pasur se kurrë në gjysmën e dytë të viteve 2000. Por, kur rritja ndaloi, me shumicën e pasurisë të zaptuar nga pak duar, iu desh t’i drejtohej propagandës. Nisi ta nxiste ndjenjën e “vlerave tradicionale” për ta shtuar nocionin e rëndësisë së tij parësore për Rusinë – lideri i domosdoshëm që është mbrojtja e vetme për rusët kundër perëndimizimit dhe shpërbërjes së tyre në detin e popujve evropianë.

Dhe, Putini i besoi propagandës së tij – se tani ka mision të veçantë historik për ta krijuar një Rusi të Madhe. Jo një BRSS të re, sepse askush nuk ishte gati ta rindërtonte komunizmin, ose të shpikte ndonjë ideologji të re apo ta rikolonizonte Azinë Qendrore në mënyrë që të siguronte fuqi të lirë punëtore për ekonominë ruse. Rusia e Madhe e imagjinonte veten si fuqia e tretë e madhe në botë (së bashku me ShBA-në dhe me Kinën). Dhe, nëse ShBA-ja rivale do ta kishte BE-në si satelit të saj, atëherë Rusia e Madhe do të kishte nevojë për sferën e vet të ndikimit. “Vlerat tradicionale” të Putinit në thelb u reduktuan në homofobi dhe në kultin e fitores ushtarake. Por, u bë shpejt e qartë se persekutimi i homoseksualëve nuk përbënte strategji të qëndrueshme për sundimin e përjetshëm të një lideri të fortë. Kulti i fitores ishte gjithçka që mbeti.

Tabloja e plotë dalëngadalë merr formë. Opereta e militarizmit rus u rrit prej propagandës televizive, ku “ekspertët” e shumtë ia nisën të flasin se ne jemi më të fortët në botë, se askush përreth nuk mund të na urdhërojë, se raketat tona mund ta rrotullonin botën disa herë dhe ta shkatërronin këdo që ne duam. Qesharake, por fjalimet e Putinit ngadalë dhe gjithnjë e më shumë nisën të tingëllojnë si ato të neofashistit të ndjerë Vladimir Zhirinovsky. Foli gjithnjë e më pak për gjëra jointeresante, si zhvillimi ekonomik, por vërtetë ndizej kur fliste për lloje të reja armësh “të pashembullta”. “Ne mund ta bëjmë përsëri”, u bë slogani kryesor i Rusisë së Putinit, një referencë e qartë për faktin se rusët e mundën nazizmin në Luftën e Dytë Botërore dhe besojnë se mund ta bëjnë përsëri.

Putini ka fituar katër palë zgjedhje presidenciale, por e pesta po afrohet më 2024. Koronavirusi shkaktoi dëme të mëdha në Rusi dhe rënie ekonomike, kështu që opsionet e Putinit janë të pakta. Në mendjen e vet, mënyra më e mirë për ta mbajtur pushtetin është përsëritja e fitores së madhe. Nuk mjafton marshimi simbolik më 9 Maj; imazhin duhet ta mbushin me gjak.

Dhe, kështu u përpoqën “ta bëjnë përsëri”, duke e orkestruar tragjedinë më të madhe të Evropës që nga viti 1945. Është kjo lufta e parë në botë që u shpik drejtpërdrejt nga televizioni. Ndihet gjithashtu si momenti kur Bashkimi Sovjetik vërtet u shpërbë, sepse Rusia, si trashëgimtare e asaj perandorie, nuk mundte ta kalonte këtë krizë me gjithë ato mite të paprekura sovjetike për fitoren. Nuk duhet të habitemi se shumica e rusëve ranë në këtë grackë dhe janë indiferentë ndaj krimeve ushtarake që po kryhen në Ukrainë. Jo vetëm se nuk e marrin pamjen e plotë për shkak të zhdukjes së gazetarisë dhe mediave sociale, por nëse ndaloni së besuari në propagandë, atëherë nuk mund të besoni më në Rusinë e vlerave tradicionale, të kombit hero të ditës së fitores. Krejt çka ka mbetur është personi i egër që endet nëpër rrënojat e kleptokracisë së militarizuar, duke e mbajtur një valixhe bërthamore në dorë. Por, kush dëshiron ta besojë në këtë?

Kush jemi ne dhe si lejuam që kjo të ndodhë? Është e frikshme t’i përgjigjesh kësaj pyetje. Rusët deri në fund do t’i mbajnë mitet e tyre. Ndërkohë, e kanë paradën e tyre ushtarake, dalldinë e ditës së fitores, opiumin e masave. /Telegrafi/