Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, dega në Gjilan, Riad Rashiti, ka reaguar pas publikimit të pamjeve që tregojnë dëmtime serioze në magjistralen Gjilan-Ferizaj.

Ai i ka cilësuar këto pamje si të tmerrshme dhe një turp për qytetin, duke akuzuar qeverisjen lokale për keqmenaxhim.


“Këto pamje janë vërtet të tmerrshme, por kështu është kur adoleshentët qeverisin me Gjilanin, kur praktikanti i VV-së e luan rolin e inxhinierit dhe t’i mbikqyrë projektet kapitale”, ka shkruar Rashiti.

Sipas tij, e njëjta rrugë është asfaltuar tre herë brenda dy viteve, por vazhdon të dëmtohet shumë shpejt pas punimeve.

“Sepse pas tre muajsh që asfaltohet kjo rrugë të bëhet në këtë gjendje është turp, plus është hera e tretë që e njëjta rrugë është asfaltuar brenda dy viteve të fundit”, ka theksuar ai.

Pas zgjedhjeve të ardhshme, Rashiti ka sugjeruar që kryetari aktual i komunës të emërohet drejtor i kinemasë.

“Për Gjilanin nuk ka rrugë tjetër, në zgjedhjet lokale këtë kryetar komune që e kemi, duhet me emëru drejtor të kinemasë sepse është i lindur vetëm për filma të të gjitha zhanreve, prej komedisë, dramave dhe horrorrit”, ka përfunduar ai.

Ndryshe, Telegrafi ka dërguar pyetje edhe në Ministrinë e Infrastrukturës për të marrë informacione lidhur me këtë rrugë dhe pse është dëmtuar./Telegrafi/