LAJMI I FUNDIT:

Gjakova mbështet fermerët me makina mjelëse

Gjakova mbështet fermerët me makina mjelëse

Komuna e Gjakovës ka mbështetur 100 fermerë me teknik mjelëse të qumështit, investim ky nga granti komunal. Në ceremoninë e ndarjes së makinave mjelëse të qumështit për fermerët e 5 zonave të komunës së Gjakovës, ishte prezente edhe kryetarja e komunës Mimoza Kusari-Lila.

Kryetarja Mimoza Kusari – Lila u shpreh e sigurt që do vazhdohet edhe më tutje që ti kushtohet një angazhim i veçantë sektorit të bujqësisë. “Ndihem e kënaqur që sot gjendem në mesin tuaj për të vazhduar procesin e mbështetjes me subvencione nga Buxheti Komunal, për ndarjen e makinave mjelëse të qumështit për 100 fermerë të komunës së Gjakovës, ku edhe në vazhdim se Komuna me Drejtorinë e Bujqësisë është fokusuar në mbështetje të të gjithë fermerëve në sektorët e bujqësisë, blegtori, vreshtari, pemëtari dhe bletari. Komuna e Gjakovës ka treguar se edhe përkundër sfidave të vitit 2014, ka investuar në disa sektorë, që ngrisin kapacitetet e përgjithshme të fermerëve për punën e tyre. Të gjitha shumat e granteve të Komunës dhe donacionet nga donatorët, komuna është angazhuar që bashkërisht me ju, t’i ndajë ato në mënyrë proporcionale që këto fonde të jenë gjithëpërfshirëse“, tha Kusari-Lila.


Ajo ka thënë se sektori i bujqësisë do të ketë mbështetje të vazhdueshme nga komuna, dhe në vitin e ardhshëm shuma e subvencioneve do të dyfishohet. Komuna do të angazhohet që infrastruktura bujqësore të ngritët deri në 70 për qind, gjithmonë duke bashkëpunuar edhe me Qeverinë e Republikës së Kosovës, Ministrinë e Bujqësisë dhe me donatorët e ndryshëm.

Me këtë do të ketë edhe ngritje të kualitetit e kredibilitetit të prodhimeve tona”, ka thënë kryetarja Kusari-Lila.

Ndërkohë drejtori komunal për Bujqësi Bekim Ermeni, në këtë ceremoni ka shpalosur projektet dhe subvencionet investuese për fermerët që janë realizuar nga komuna për pesë rajonet e Gjakovës. “Shuma që është investuar për projektet e zhvillimit të bujqësisë për këtë vit është mbi 220 mijë euro. Ndërsa vetëm nga granti i komunës, fermerët e Gjakovës janë mbështetur me 142 mijë euro, si në blegtori, vreshtari, pemëtari, bletari dhe sektorë tjerë.

Po ashtu, gjatë ditës së sotme Kryetarja e Komunës Mimoza Kusari Lila ka vizituar edhe qendrën grumbulluese të qumështit në fshatin “Bec”, më saktë Shoqatën e fermerëve “Dushkaja”. Kryetarja Kusari-Lila, në këtë vizitë është njoftuar për punën dhe angazhimin e fermerëve në të gjitha proceset e prodhimit të qumështit deri në plasman për prodhimin e produkteve në kompanitë prodhuese të Kosovës. Edhe në këtë takim kryetarja e Komunës ka siguruar mbështetjeje për këtë shoqatë dhe fermerët e saj ,me qëllim që të shtohen kapacitetet e saja në grumbullimin e qumështit. /Telegrafi/