Kjo terapi po rezulton një nga metodat më efektive për uljen e gërhitjes dhe apnesë së gjumit - ja si funksionon dhe kujt i ndihmon

Gërhitja është pasojë e ngushtimit të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes gjatë gjumit, pra e qarkullimit të ajrit që shkakton dridhjen e indeve të qiellzës së butë, pjesës së pasme të gjuhës dhe murit të faringut. Partneri dhe familja nuk mund të flenë normalisht, të gjithë zgjohen të lodhur, ndërsa personi që gërhit shpesh e nis ditën me irritim të fytit, gojë të tharë dhe dhimbje koke.


Çfarë është terapia miofunksionale?

Gërhitja është nganjëherë shenjë e apnesë obstruktive të gjumit. Trajtimet konvencionale përfshijnë ndryshime të stilit të jetesës dhe pajisje dentare. Ekziston edhe terapia miofunksionale, e cila përfshin një grup ushtrimesh të krijuara për të forcuar muskujt e gjuhës, qiellzës, faqeve dhe faringut.

Terapia miofunksionale synon të rrisë tonusin dhe qëndrueshmërinë e muskujve që mbajnë të hapura rrugët e sipërme të frymëmarrjes gjatë gjumit. Disa studime tregojnë se kjo terapi mund të ulë shpeshtinë dhe intensitetin e gërhitjes. Meta-analizat e vitit 2015 dhe 2021 konfirmojnë se ushtrimet kundër gërhitjes përmirësojnë tonusin e muskujve të faringut dhe reduktojnë gërhitjen, transmeton Telegrafi.

Si aplikohen ushtrimet kundër gërhitjes?

Ekzistojnë disa lloje ushtrimesh dhe efekti varet nga zbatimi i rregullt. Rekomandohet ushtrimi nga 15 deri në 30 minuta në ditë, për 8 deri në 12 javë.

Ushtrimet për forcimin e muskujve të gjuhës përfshijnë shtyrjen e gjuhës përpara-prapa dhe mbajtjen për 5 deri në 10 sekonda. Rekomandohet edhe teknika e nxjerrjes së zgjatur të frymës, e cila përmirëson kontrollin e frymëmarrjes gjatë gjumit.

Ekspertët këshillojnë gjithashtu të shtypni majën e gjuhës në qiellzë, pasi kjo përmirëson koordinimin midis gjuhës dhe qiellzës.

Ekzistojnë edhe ushtrime për buzët dhe faqet, si p.sh. lëvizjet me thithje të ajrit përmes buzëve dhe tërheqja e ajrit, të cilat forcojnë muskujt përreth gojës. Nxirrni gjuhën jashtë dhe përpiquni të prekni mjekrën, hundën, faqen e majtë dhe të djathtë. Gëlltisni “në bosh” 10 herë me buzë të mbyllura. Me gojë të mbyllur, thithni fort përmes hundës, 5 herë rresht. Nxirrni gjuhën sa më shumë dhe merrni frymë thellë dhe me zë.

Kujt mund t’i ndihmojnë këto ushtrime?

Pas aplikimit të kësaj terapie është i mundur lehtësimi i simptomave në rastet me apne të lehtë deri të moderuar të gjumit. Ekspertët thonë se ushtrimet janë të dobishme te personat që gërhitin lehtë ose mesatarisht. Vërehet se ushtrimet nuk kanë efekt te personat obezë, të cilëve së pari u rekomandohet ulja e peshës e më pas ushtrimet. Në rastet e apnesë së rëndë obstruktive të gjumit, ushtrimet janë vetëm terapi ndihmëse dhe nuk mund të zëvendësojnë trajtimin kryesor.

Gërhitja është më shumë se një bezdi

Mjekët theksojnë se gërhitja është më shumë se thjesht një shqetësim; apneja obstruktive mund të vështirësojë kontrollin e tensionit të lartë të gjakut, diabetit dhe aritmive. Prandaj, rekomandohet të kërkohet ndihmë profesionale nëse partneri vëren gërhitje të rëndë, pauza në frymëmarrje apo edhe mbytje gjatë gjumit. Këshillohet konsultë me mjekun edhe nëse zgjoheni me dhimbje koke, ndieni përgjumje të theksuar gjatë ditës, vëreni irritim të shtuar apo vështirësi në përqendrim dhe kujtesë.

Për vlerësimin e gjendjes dhe zgjedhjen e trajtimit më të përshtatshëm mund të konsultoheni me stomatologë, logopedë, pulmologë ose terapeutë që trajtojnë çrregullimet orofaciale, pra problemet e muskujve të fytyrës, buzëve, gjuhës dhe nofullës, të cilat mund të shkaktojnë vështirësi në gëlltitje, frymëmarrje dhe shqiptim. /Telegrafi/