LAJMI I FUNDIT:

GCERF do ta ndihmojë Kosovën në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm

GCERF do ta ndihmojë Kosovën në luftën kundër ekstremizmit të dhunshëm

Ministri i Punëve të Brendshme të Republikës së Kosovës, Skender Hyseni, ka takuar përfaqësuesin e Fondit Global për Angazhim të Komunitetit dhe Rimëkëmbjes (GCERF), me seli në Gjenevë, përkatësisht Khalid Koser, drejtor ekzekutiv dhe Jonathan N.F. Wood, zyrtar kryesor operacional.

Përfaqësuesit e GCERF po qëndrojnë për një vizitë të shkurtër në Kosovë për të biseduar me autoritetet vendore për rrjedhshmërinë e procesit të financimit të projekteve nga GCERF me qëllim të parandalimit të ekstremizmit të dhunshëm.

Ministri Hyseni falënderoi delegacionin për mbështetjen e tyre që Kosova është bërë një prej vendeve përfituese nga ky fond disa milionësh, i cili do të ndihmojë në përfshirjen e akterëve lokalë dhe ndërtimin e qëndrueshmërisë së komunitetit në parandalim të ekstremizmit.


Ministri Hyseni i njoftoi drejtuesit e GCERF për aktivitetet e shumta të cilat Ministria e Punëve të Brendshme i ka ndërmarrë tash e një kohë në përputhje me Strategjinë për Parandalim të Radikalizmit dhe Ekstremizmit të Dhunshëm që Shpie në Terrorizëm, të aprovuar nga Qeveria në shtator të vitit të kaluar.

Ai po ashtu shprehu përkushtimin që MPB-ja do të vazhdojë të japë kontributin e saj maksimal dhe të bashkëpunojë me akterët tjerë vendorë në luftimin e kësaj dukurie.

Ndërsa, Koser u nda i kënaqur me zhvillimet e Ministrisë së Punëve të Brendshme, dhe në përgjithësi të Kosovës, në parandalim të ekstremizmit të dhunshëm dhe premtoi se GCERF do të ndihmojë Kosovën posaçërisht në ato aspekte të cilat nuk janë prekur shumë deri tani e që duhet adresuar. /Telegrafi/