LAJMI I FUNDIT:

Gazi

Gazi

Gazsjellësin nuk e kemi përdorur asnjëherë si pjesë të politikës së brendshme. Gazin po.

Dikur thoshim u bë gazi i botës, na e qite gazin, “pasha Hashimin, apo Ilazin”, se politika te ne ka qenë pak a shumë gaz, humor. Kështu ishte derisa nuk u hodh gazi në Parlament, pastaj më nuk qeshnim me lot, veç lotonim. Lotonim për pasojat e politikës dhe për shkak të gazit, se gazi ishte lotsjellës. Asokohe gazsjellësi nuk përmendej si mënyrë e sjelljes së gazit në Parlament, kështu që as përmendej në debate televizive, as në luftën politike. Gazsjellësi u bë këto ditë problem politik edhe për ne.


Në përmasa globale, kontinentale, e besa edhe rajonale, zhvillohej një luftë epike për korridoret, e ne as që e kishim regjistruar si çështje (gjeo)politike! Papritmas na u fut përsëri në Parlament, në politikë, në kuzhinë, aq furishëm, shpërthyes, si gazi më.

E, nëpër media, gladiatorët modernë e kallën fitilin e debatit përse Kosova nuk e do Amerikën. Më saktë, përse Qeveria nuk e do … gazin! E do gazin, e do edhe Amerikën! E do autostradën, e do Amerikën, kështu e ka (gjeo)politika te ne, tradicionalisht. Kaq e thjeshtë është? Problemi në politikën tonë paraqitet kur në ShBA ka dilema dhe pyetja pastaj merr forma tragjikomike: A je me Amerikën apo me Amelikën?

U bë e qartë, bazuar në debatet te ne, se Joe Biden, presidenti aktual i ShBA-së, nuk e do Amerikën. Po promovon veturat me energji elektrike. Jo gaz, jo benzinë, jo naftë! Diell, erë dhe energji të pastër, jo energji nga fosilet. Po të ishte në Kosovë, në politikë, miku ynë Biden, do të kryqëzohej si antiamerikan.

Në këtë shkrim fjala gaz ka kuptimin e vet të mirëfilltë, pra atë të gazit natyror, i cili do të vijë përmes rrugëve strategjike që kalojnë në rajon, nëpër gazsjellësin TAP të ndërtuar për ta furnizuar Evropën.

U bë luftë e madhe korridoresh, ku pas ndoshta 20 vjetësh, korridori rus “Rrjedha Jugore” u mund politikisht, pse jo edhe ushtarakisht, duke pasur parasysh pikërisht luftën për gazin dhe për naftën.

Sido që të jetë, korridori anglo/amerikan i naftës u bë simbol edhe politik, edhe kombëtar, edhe rajonal, aq më tepër që traseja e tij po kalon edhe nëpër territorin e Republikës së Shqipërisë dhe i sjell asaj përfitime. Kështu, lobimi për kyçen e vendeve të rajonit në gazsjellësin strategjik është futur me shumë arsye në agjendën e qeverisë shqiptare. Por, Kosova nuk do të kyçet! Më saktë, Qeveria!

Kështu, gazi i botës është bërë problem politik, kosovar dhe kombëtar.

Sidoqoftë, çështja s’ka të bëjë vetëm me marrëdhënie shqiptaro-shqiptare (kosovare) e as me marrëdhëniet shqiptaro-serbe. Gjithsesi, kjo fushatë ka marrë karakter rajonal, sepse po përdoret edhe nga Serbia për ta akuzuar Kosovën për vetizolim dhe, duke përmendur edhe mos përfshirjen e Kosovës në iniciativën për “Ballkanin e Hapur”, ajo në mënyrë spekulative po përpiqet të lidhë dy gjëra krejt të ndryshme në një litar.

Lufta globale për energjinë, e cila pak a shumë e determinon edhe politikën dhe aleancat globale, manifestohet në forma të ndryshme dhe në marrëdhëniet rajonale, por gjithsesi ka rezultuar së paku në ShBA me fitoren e lobit të energjisë së ripërtëritëse dhe kështu dhe për herë të parë lobi i naftës dhe gazit “nuk ka” fuqinë vendimtare.

Lufta me Rusinë dhe interesat e saj në lindje të afërt dhe rajonet e tjera kah kalojnë rrugët e energjisë (gazit dhe naftës) drejt Evropës, e cila në të kaluarën u manifestua me kriza në Ukrainë, në Lindjen e Afërme e në Ballkan, me gjasë do të vazhdojë edhe një kohë me intensitet të lartë, por nuk duket të jetë më determinuese as e politikës amerikane, as asaj euroatlantike, as e BE-së, edhe pse interesat e korporatave të fuqishme të naftës dhe gazit është vështirë të injorohen qoftë nga administrata amerikane apo nga BE-ja.

Analizat qeveritare dhe të ekspertëve, për një strategji energjetike të Kosovës, nuk kanë të bëjnë pra me orientim perëndimor apo prorus, sepse alternativa e gazit rus për Kosovën as që është përmendur ndonjëherë (për dallim prej orientimit serb kah “Rrjedha Jugore” dhe “Gazpromi”), por duhet të ndërlidhet me domosdonë e orientimit kah energjia e ripërtritshme, në të cilin drejtim edhe superfuqitë edhe industritë kryesore po orientohen.

Kosova e vogël nuk prek interesa të mëdha gjeopolitike, por është e obliguar të njohë dhe të respektojë trendët që i sjellë konjuktura e re globale dhe zhvillimet e reja teknologjike. Revolucioni teknologjik, me bateritë e fuqishme ku mund të ruhen sasi më të mëdha se kurrë më parë të energjisë, ka ndryshuar gjithçka në rrafshin e energjisë dhe është obligimi ynë të marrim në konsideratë.

Në anën tjetër, kur jemi te rajoni, me shumë gjasë edhe Serbia është e interesuar të ruajë monopolin e saj dhe të fus Kosovën në projekte të kushtueshme të cilat në fund do ta mbajnë Kosovën të varur nga energjia serbe, e mbase edhe ajo ruse. Me shumë gjasë koha kur ajo diktonte tregun e energjisë dhe gjithçka tjetër në rajon, me përpjekjet shumë herë të modifikuara të një mini Jugosllavie të re, mbetet veç një e kaluar dhe Qeveria e Kosovës e ka në dorë që të ndërtojë strategjitë e Kosovës pa u ndikuar nga kjo.

Politika globale është e lidhur ngushtë me infrastrukturën e energjisë. Përcaktimi për strategjinë energjetike është test për çdo qeveri, e sidomos për vendet e vogla si Kosova. Në shekullin e kaluar, nafta dhe gazi krijonin dhe prishnin aleanca strategjike. E sot? Ky do të jetë mbase vendimi më i rëndësishëm i Qeverisë së Kosovës! Nuk gabon Qeveria nëse e merr krejt kohën e nevojshme për ta peshuar mirë këtë çështje, pa u ndikuar nga lobimet joformale apo presionet politike!