“Gati për sezonin e ri”, Lewandowski përjashton mundësinë e largimit nga Barcelona

Robert Lewandowski ka konfirmuar përkushtimin e tij ndaj Barcelonës, duke mohuar çdo mundësi për largim këtë verë.
Sipas gazetarit të njohur polak, Tomasz Wlodarczyk, i cili është pranë lojtarit, sulmuesi 36-vjeçar është i përqendruar dhe i motivuar për sezonin e ri në La Liga.
“Lewandowski nuk ka ndërmend të largohet nga Barcelona. Ai është i lumtur dhe gati për sezonin e ri, i etur për të përfunduar vitin e fundit të kontratës së tij”, ka shkruar Wlodarczyk në rrjetin social X.
Ai shtoi se pas kësaj periudhe mund të ketë interes nga Superliga e Arabisë Saudite, por për momentin, polaku është i vendosur të qëndrojë.
Këto deklarata vijnë si përgjigje ndaj zërave të fundit që flisnin për një largim të mundshëm të Lewandowskit. Me përvojën dhe cilësinë e tij, ai mbetet një nga liderët më të rëndësishëm të zhveshtores dhe golashënuesi kryesor i ekipit që prej transferimit nga Bayern Munich në vitin 2022.
Kontrata aktuale e Robert Lewandowskit me Barcelonën përfundon në qershor të vitit 2026 dhe raportohet se i siguron atij rreth 26 milionë euro në vit. Kjo shifër, së bashku me rolin e tij kyç në skuadër janë argumente të forta që ai nuk ka arsye për t’u larguar para kohe.
Ndërkohë, Barcelona po punon për të zvogëluar barrën financiare të ekipit dhe për të përmirësuar situatën me Fair Play Financiar.. Lojtarët që nuk janë pjesë e planeve të Hansi Flick janë në qendër të listës për largim, por Lewandowski nuk është mes tyre.
Me rikthimin e sezonit pranë, duket qartë se Lewandowski mbetet një pjesë thelbësore e projektit të ri të Barcelonës, dhe tifozët mund të presin që ai të japë më të mirën në fushë edhe këtë vit. /Telegrafi/








































