Rreth pesë muaj më parë, përzgjedhësi i Franco Foda kishte publikuar listën e futbollistëve të Kombëtares së Kosovës për dy ndeshjet ndaj Sllovenisë dhe Zvicrës, ndërsa tani kanë mbetur më pak se tri javë para sfidës historike ndaj Sllovakisë.

Ajo periudhë rezultoi shumë pozitive për Kosovën, pasi “Dardanët” arritën një fitore të rëndësishme ndaj Sllovenisë (2-0) si mysafir, duke siguruar pjesëmarrjen në play-off për Kupën e Botës 2026, ndërsa më pas barazuan me Zvicrën (1-1) në “Fadil Vokrri”.


Foda në atë kohë kishte ftuar 26 lojtarë, duke i lënë dy apo tre në tribunë në këto ndeshje.

Tashmë situata ka ndryshuar dhe Kosova po përgatitet për një tjetër sfidë të madhe. Më 26 mars, Kosova do të përballet si mysafire me Sllovakinë, në gjysmëfinalen e play-off-it për Kampionatin Botëror, shkruan Telegrafi.

Në prag të kësaj përballjeje vendimtare, vëmendja rikthehet te lista e lojtarëve që ishin pjesë e grumbullimit të fundit të rëndësishëm. Gjatë këtyre muajve, shumë gjëra kanë ndryshuar për futbollistët e Kosovës: disa prej tyre po kalojnë një formë të shkëlqyer në klubet e tyre duke shënuar gola dhe duke luajtur rregullisht, të tjerë janë përballur me lëndime apo kanë humbur minutat në skuadrat përkatëse.

Kjo analizë hedh një vështrim mbi gjendjen aktuale të secilit prej lojtarëve të ftuar atëherë nga Franco Foda – kush është në formë të mirë, kush po shkëlqen me gola e asistime, kush po përballet me probleme fizike dhe cilët futbollistë kanë më pak hapësirë në ekipet e tyre.

Me lëndimet e Amir Rrahmanit dhe Ilir Krasniqit, ka gjasa që Muharrem Jashari dhe Florent Hadërgjonaj të kthehen, pas mungesës në ndeshjet e fundit.

Në këtë mënyrë mund të kuptohet më qartë se në çfarë gjendjeje e pret Kosova sfidën e rëndësishme ndaj Sllovakisë dhe cilët lojtarë mund të ftohen në këtë moment historik.

Arijanet Muric
Portieri i parë i Kosovës ka luajtur të gjitha ndeshjet nga muaji janar, ku ka koleksionuar edhe paraqitje të jashtëzakonshme.
Edhe pse luan te Sassuolo, ai shpesh di të dalë lojtar i ndeshjes, siç ishte ajo e fundit ndaj Atalantës, ku skuadra e tij fitoi 2-1 dhe Aro mori notën 9.5 si lojtar i ndeshjes.

Amir Saipi
Një tjetër portier në formë i Kosovës, ku Saipi me Luganon ka qenë në nivel shumë të lartë të detyrës, duke pritur madje edhe penallti. Ai nuk e ka ruajtur portën vetëm në ndeshjen e fundit ndaj Luzern, ku Lugano pësoi humbje me rezultat 3-1, ndërsa në nëntë të tjera të këtij viti po.
Saipi luajti shkëlqyeshëm ndaj Winterthur, Luzern, Lausanne dhe Sion.

Visar Bekaj
Pas disa muajsh pa ekip, Visar Bekaj është kthyer te Tirana për të ndihmuar drejt objektivit të mbijetesës. Portieri i tretë i Kosovës ka mbrojtur portën në shtatë ndeshje, ku ka pranuar gola, por duke mos harruar se kjo është një nga skuadrat e Tiranës më të dobëta në vitet e fundit.
Ai ka luajtur shtatë ndeshje radhazi dhe pas largimit nga Hatayspor po kërkon të gjejë formën.

Faton Maloku
Portieri i dritës dhe më i miri i kampionatit tonë, pas një ecurie fantastike në Ligën e Konferencës është kthyer në kampionat, duke i dhënë Dritës qetësi dhe porta të paprekura.
Ai e ka ndihmuar Dritën që të marrë pozitën e parë, me disa pritje fantastike.

Amir Rrahmani (i lënduar)
Kapiteni i Kosovës pësoi dëmtim në ndeshjen e 15 shkurtit ndaj Romës në barazimin 2-2, dhe që atëherë është jashtë fushës për një dëmtim muskulor.
Ai pritet të mungojë edhe disa javë për të qenë gati. Me shumë mundësi ai nuk do të jetë në ndeshjen ndaj Sllovakisë.

Mërgim Vojvoda
Fantastic me Comon, duke vazhduar të performojë në nivele të larta dhe madje edhe në disa pozita. Asistime dhe gola, Vojvoda po zhvillon ndoshta sezonin më të mirë në karrierë, duke ndihmuar skuadrën e tij të luftojë për zonën e Ligës së Kampioneve.
Vojvoda ka shënuar ndaj Juventusit, ndërsa edhe ndaj gjigantëve të tjerë si Interi dhe Milan ka bërë paraqitje fantastike. Ai luan në të gjitha ndeshjet e Comos.

Lumbardh Dellova
Lider i CSKA Sofjes, që këtë vit është kthyer në garë për pozitat e para. Ai luan në çdo ndeshje dhe shpesh është prej më të mirëve.
Mëkat që një lojtar si Lumbardh Dellova nuk luan në një kampionat më të fortë.
Ai ka edhe një gol në dhjetë ndeshjet e zhvilluara këtë vit nga janari.

Fidan Aliti
Një lojtar startues i klubit turk Alanyaspor. Ai luan në çdo ndeshje dhe shpesh ka paraqitje shumë të mira në nivel të lartë.
32-vjeçari ka dhjetë paraqitje në muajt e fundit nga viti i ri e këndej. Ai sa herë ka dal në fushë në këto eliminatore, ka treguar paraqitje shumë të mira për dardanët.

Ilir Krasniqi (i lënduar)
Pasi bëri transferimin te Polissya nga Kolos, ai u gjend mjaft mirë në klubin e ri. Në ndeshjen e fundit ndaj Dinamo Kiev ai luajti 25 minuta.
Ndërsa në një ndeshje testuese sot, ai ka pësuar një dëmtim, ku sipas klubit ukrainas ka gjasa që ka lënduar ligament.
Ai së bashku me Emerllahun ishin gjetur mirë te klubi që po lufton për pozitat e para në kampionatin ukrainas.

Albian Hajdari
Mbrojtësi i qendrës më në formë i Kosovës. Hajdari po shkëlqen me Hoffenheim, duke u bërë një lojtar shumë i rëndësishëm i klubit gjerman.
Ai në janar ka luajtur 9 ndeshje, ku ka edhe një asistim, duke u konfirmuar si i jashtëzakonshëm.
22-vjeçari ka bërë paraqitje fantastike ndaj Bayer Leverkusen, Werder, Union Berlin dhe Köln.

telegrafi.com

Kreshnik Hajrizi
Një tjetër lojtar që nuk i mungojnë ndeshjet, te Sioni është një lider i vërtetë dhe shpesh edhe lojtar i ndeshjes.
Ai në janar ka munguar vetëm në një ndeshje shkaku i kartonëve.
Hajrizi është shpallur lojtar i ndeshjes ndaj Luzern dhe Sion në këto dy muaj, duke konfirmuar formën e mirë për 26-vjeçarin.

telegrafi.com

Dion Gallapeni
Gallapeni ka kryer një transferim në këtë afat kalimtar, duke lënë Widzëe Lodz për të kaluar te Wisla Płock.
Ai ka debutuar javën që shkoi me këtë klub duke zhvilluar 57 minuta. Gallapeni, 22 vjeç, është parë nga Foda si i pazëvendësueshëm në krahun e majtë.
Ai mund të marrë ndeshje në këtë muaj para përballjeve që të kthejë formën e tij.

telegrafi.com

Leard Sadriu
Tjetër lojtar që po kalon një formë të jashtëzakonshme në kampionatin rumun me klubin FC Argeș.
Ai është i pazëvendësueshëm, duke luajtur në nëntë nga dhjetë ndeshje, kur në atë që ka munguar, ka ndodhur shkaku i kartonëve.
Sadriu shihet si lojtar që mund të luajë në qendër dhe në krahun e majtë.

Ron Raçi
Një tjetër lojtar që ka pasur rritje të madhe në muajt e fundit, duke u bërë titullar i padiskutuar i Hajduk Split.
Qendërmbrojtësi ka luajtur nga 90 minuta në gjashtë ndeshjet e fundit për gjigantin kroat.
Paraqitjen më të mirë e kishte ndaj Rijeka-s ku u cilësua si lojtar i ndeshjes.

Valon Berisha
Gjatë këtij afati kalimtar ai kaloi nga LASK te Zurich, ku është aktivizuar në pesë ndeshjet e fundit.
Ai ka luajtur dy si titular, ndërsa në tri tjera është futur nga banka.
Berisha po merr minuta për të qenë gati për ndeshjet e marsit, duke qenë se përvoja e tij mbetet e rëndësishme për Kosovën.

telegrafi.com

Elvis Rexhbecaj
Mesfushori shumë i rëndësishëm i Kosovës, tashmë është emër në Bundesliga, ku çdo javë ai luan.
Në muajt e fundit ai dhe Augsburgu kanë pasur rritje të formës, me mesfushorin që ka gjetur edhe rrjetën në dy raste.
Hasiani është një emër i besuar për Franco Fodan dhe pritet të jetë në listë.

telegrafi.com

Leon Avdullahu
Tjetër lojtar fantastik, mesfushori që po shkëlqen në Bundesligën e Gjermanisë, duke luajtur në çdo ndeshje.
Ai nga janari ka zhvilluar dhjetë paraqitje, ku spikasin takimet me Bayern Leverkusen, Werder Bremen, Freiburg dhe Heidenheim.
Me Hoffenheim ai po shkëlqen dhe së bashku po sfidojnë një vend për Ligën e Kampionëve. Ai mbetet një lojtar shumë i rëndësishëm për Franco Fodan.

Veldin Hoxha
Ka luajtur në të dyja ndeshjet për Rubinin si startues, duke treguar formë të mirë.
Deri te ndeshjet me Sllovakinë pritet të ketë edhe përballje tjera që të jetë gati.

Lindon Emerllahu
Pas transferimit nga Cluj te Polissya, Emerllahu është gjendur shumë mirë te klubi ukrainas ku ka zënë menjëherë vend në formacion.
Ai i ka luajtur tri ndeshjet e para të stinorit pranveror si startues, ku ka shënuar edhe një gol.
Emerllahu po tregon që mund të luajë në nivele të larta, pasi klubi ukrainas lufton për titullin këtë vit.

telegrafi.com

Meriton Korenica
Ka treguar formë të lartë nga janari, me Meriton Korenicën që nuk ka munguar në asnjë nga dhjetë ndeshjet e Cluj këtë vit.
Madje ai ka arritur të shënojë pesë gola, në një nga sezonet më të mira në karrierën e tij.
Në përballjen ndaj Petrolul ai u shpall lojtar i ndeshjes, me një paraqitje brilante.

Ermal Krasniqi
Sulmuesi i krahut po luan te Legia këtë sezon, ku ka arritur të gjejë vetën, ndërsa ka luajtur në pesë ndeshjet e fundit te gjiganti polak.
Ai ka dy asistime, ndërsa ndaj Arka Gdynia u shpall lojtar i ndeshjes.
Krasniqi është lojtar i rëndësishëm në skemat e Franco Fodës, ku luan në të gjithë krahun shumë shpesh.

Baton Zabërgja
Po arrin të gjejë formën e tij në kampionatin ukrainas, me golat e tij, duke u kthyer në një lojtar shumë të rëndësishëm.
Në dy muajt e fundit ka arritur të shënojë katër gola për klubin.
Zabërgja po vlerësohet shumë nga Franco Foda për shpejtësinë e tij.

Edon Zhegrova
Lojtari i Kosovës që luan te Juventusi, ka më pak minuta se sa lojtarët e tjerë.
Ai në dhjetë ndeshjet e fundit ka luajtur në pesë prej tyre, të gjitha duke u futur në pjesën e dytë.
Por në këto ndeshje ka treguar paraqitje të mira, duke i dhënë Juventusit opsione numerike në sulm me driblet e tij.

telegrafi.com

Milot Rashica
Sulmuesi 29-vjeçar pjesë e Besiktas, prej ardhjes së Sergen Yalçin në krye të skuadrës bardhezi, shpesh është edhe në bankë.
Në dhjetë ndeshjet e fundit ka luajtur në tetë prej tyre, prej të cilave pesë si statujë.
Ai ka dy asistime, ndërsa mbetet pjesë e rëndësishme e planeve të Franco Fodës.

telegrafi.com

Florent Muslija
Po kalon një formë shumë të mirë këtë vit. Ka luajtur tetë ndeshje nga tetë të këtij viti, duke qenë lojtar shumë i rëndësishëm te Fortuna Düsseldorf.
Ka tre asistime dhe një gol deri më tani, me ekipin që po ka rezultate pozitive.
Ndeshjet ndaj Nürnberg, Bochum dhe Arminia ishin pa dyshim paraqitjet më të mira ku u shpall edhe lojtar i ndeshjes.

telegrafi.com

Fisnik Asllani
Ylli në rritje, lojtari që ka tërhequr vëmendjen e gjigantëve evropian, edhe këtë muaj ka vazhduar me paraqitje fantastike.
Asllani ka vazhduar me gola dhe asistime. Ka dy gola dhe tri asistime në dhjetë përballjet e fundit, ku ka luajtur në nëntë prej tyre.
Ai është startues i rregullt, ndërsa ndaj Heidenheim ishte një gol dhe një asistim, prej më të mirëve në fushë.

telegrafi.com

Vedat Muriqi
Ylli i La Ligës, një lojtar që po lufton me Kylian Mbappé për Pichichi-n, vazhdon të shënojë rregullisht.
Në dhjetë ndeshjet e fundit, Muriqi ka luajtur në të gjitha, madje ka shënuar nëntë gola, një ecuri fantastike.
Në përballjen e fundit ndaj Osasunës, ishte lojtar i ndeshjes, me dy gola, sikurse edhe ndaj Athletic Bilbaos me het-trik dhe ndaj Sevillas.

telegrafi.com

Albion Rrahmani
Pas një nisjeje të mirë të stinorit, Rrahmani ka pasur paksa rënie në muajt e fundit me fanellën e Sparta Pragës, por golat nuk kanë munguar.
Në tetë ndeshjet e fundit ka marrë minuta, në shumicën e rasteve si statujë.
Ai ka dy gola dhe dy asistime në këto tetë përballje të fundit.

/Telegrafi/

telegrafi sport app