Gashi: Çdo qytetar do ta ketë mjekun e vet familjar në Prishtinë, ndërsa pritja deri në 30 minuta e arsyeshme


Drejtori i drejtorisë së Shëndetësisë në Komunën e Prishtinës, Bujar Gashi ka bërë të ditur se sistemi shëndetësor në Kosovë synon të kalojë në modelin ku çdo qytetar do të ketë mjekun e vet familjar, ndërsa vlerësoi se pritjet deri në 30 minuta në qendrat e mjekësisë familjare janë të pranueshme, duke marrë parasysh ngarkesën e sistemit.
Në podcastin “Shëndeti në rend të parë”, e mbështetur nga United Hospital, Gashi tha se përzgjedhja e mjekut familjar është pjesë e reformave që po zhvillohen në nivel kombëtar dhe se qytetarët do të kenë mundësi të zgjedhin vetë mjekun që dëshirojnë t'i ndjekë në vazhdimësi.
“Ne jemi pjesë e grupeve punuese dhe po përgatitemi për këtë proces. Do të jetë një garë e përzgjedhjes së mjekëve, sepse jo të gjithëve na përshtatet i njëjti mjek. Ata që regjistrohen të parët do të kenë mundësi të zgjedhin mjekun që preferojnë”, tha Gashi.
Sipas tij, në praktikë shumë qytetarë tashmë kanë krijuar besim te një mjek i caktuar dhe vazhdojnë ta kërkojnë atë sa herë që kanë nevojë për shërbime shëndetësore.
“Edhe sot, kur qytetarët vijnë në qendrat tona, shpesh kërkojnë një mjek të caktuar dhe thonë: ‘Ky është mjeku im’. Me sistemin e ri kjo praktikë do të formalizohet edhe elektronikisht, përmes regjistrimit dhe caktimit të termineve”, u shpreh ai.
Duke komentuar ankesat e qytetarëve për pritjet në qendrat e mjekësisë familjare, Gashi tha se ato duhet të vlerësohen në raport me numrin e madh të vizitave dhe kapacitetet aktuale të sistemit.
“Me numrin që kemi të mjekëve dhe infermierëve, me rreth 1.25 milion vizita dhe mbi 3.5 milion shërbime në kujdesin parësor gjatë një viti, nuk e quaj pritje nëse pacienti pret më pak se 30 minuta”, deklaroi ai.
Ai theksoi se sistemi shëndetësor në Kosovë, pavarësisht sfidave, ofron një qasje shumë më të shpejtë te mjeku familjar sesa në shumë vende evropiane.
“Në shumë shtete fillimisht telefononi, merrni këshilla dhe mund të prisni disa ditë për një vizitë. Ndërsa te ne, qytetari zakonisht niset nga shtëpia, shkon në institucion dhe brenda 15 deri në 30 minutave e kryen vizitën”, tha Gashi.
Për më shumë shikoni të plotë podcastin "Shëndeti në rend të parë":
- YouTube www.youtube.com








































