LAJMI I FUNDIT:

FSK ndërron mision, kërkon ndihmë nga partnerët e jashtëm

FSK ndërron mision, kërkon ndihmë nga partnerët e jashtëm

Ministria e Forcës së Sigurisë së Kosovës është duke mbajtur konferencën e parë për këtë vit, të quajtur “FSK-ja dhe partnerët e saj”.

Në këtë konferencë, ku po marrin pjesë përfaqësues të ushtrive të vendeve të ndryshme, po paraqitet dhe diskutohet puna e FSK-së që nga konferenca e fundit e mbajtur në tetor të vitit të kaluar si dhe nevojat e saj për ndihmë nga këta partnerë.


Ministri i FSK-së, Haki Demolli, tha se qëllimi kryesor i kësaj konference është intensifikimi i bashkëpunimit të FSK-së me ushtritë e vendeve mike.

“Në të njëjtën kohë kjo konferencë ka qëllimin që të koordinojë bashkëveprimin, respektivisht të koordinojë ndihmën dhe përkrahjen të cilën shtetet mike ia ofrojnë FSK-së në zhvillimin e saj të vazhdueshëm. Po ashtu, gjatë kësaj konference ne kemi prezantuar të arriturat të cilat i kemi pasur që nga konferenca e fundit, si dhe prezantuam kërkesat tona në mënyrë që shtetet mike që ndihmojnë dhe përkrahin zhvillimin e FSK-së”, tha Demolli, transmeton KP.

Ndërsa komandanti i FSK-së, Rrahman Rama tha se FSK-ja ka avancuar, derisa potencoi se kërkesat e FSK-së nga ushtritë e vendeve pjesëmarrëse në këtë konferencë rriten meqenëse FSK-ja do të ndërrojë misionin e saj.

“Kërkesat rriten për misionin që do ta kemi, që është një mision i ri dhe dalin detyra të reja. Kemi nevojë për përkrahjen, eksperiencat dhe përvojat e partnerëve tanë. Ekziston një gatishmëri e jashtëzakonshme e partnerëve tanë që të na ndihmojnë në këtë proces”, tha Rama.