Franco Foda e konfirmoi mungesën e Dellovës ndaj Sllovenisë, por kush janë opsionet për ta zëvendësuar yllin e CSKA Sofias?

Përzgjedhësi i Kosovës Franco Foda konfirmoi se qendërmbrojtësi Lumbardh Dellova nuk do të jetë në dispozicion për të luajtur ndaj Sllovenisë.
Dellova ka një rol të rëndësishëm në formacionin e Fodas, duke qenë ‘krahu’ i Amir Rrahmanit në ‘zemrën e mbrojtjes’. Megjithatë, shkaku i lëndimit nuk do të arrijë të mbrojë fanellën dardane së paku të premten në Prishtinën.
Me mungesën e Dellovës, kush janë opsionet e Fodas për ndeshjen me Slloveninë, duke ditur se ylli i Hoffenheimit, njëkohësisht ardhja e fundit Albian Hajdari do të jetë titullar? Tekniku gjerman fatmirësisht ka disa opsione pasi ka të ftuar edhe katër qendërmbrojtës të tjerë.
Përparësinë më të madhe do ta ketë mbrojtësi Ilir Krasniqi. Edhe muajin e kaluar, kur Kosova luajti ndaj Suedisë pa kapitenin Rrahmani, Foda i besoi menjëherë ish lojtarit të Llapit për ta futur titullar. 25-vjeçari vazhdon të jetë titullar te skuadra ukrainase Kolos Kovalivka, ku ndër të tjera edhe zhvilloi 90 minuta në humbjen e fundit ndaj Rukh Lviv para se të udhëtonte për Kosovë.

Opsion tjetër është edhe Fidan Aliti. Ish ylli i Zurichut ishte mahnitës në fitoren ndaj Suedisë, duke qenë ndër më të mirët në fushë dsi dhe arriti ta bllokonte më së miri dy sulmuesit e Ligës Premier, si Victor Gyokeres e Alexander Isak.
Përpos kësaj dyshe, mundësi është edhe qendërmbrojtësi Rron Rraçi i Hajduk Splitit. Ish lojtari i Prishtinës ka zhvilluar vetëm 90 minuta që nga ndeshjet e muajit shtator.
Opsioni i tretë është lojtari i Sion, Kreshnik Hajrizi, që u ftua te Kosova për herë të parë që nga miqësoret e qershorit. Kujtojmë, ky i fundit nuk ka luajtur në fanellën dardane që nga marsi i vitit 2023, kur zhvilloi tre minuta në barazimin 1-1 ndaj Zvicrës.
Opsioni i fundit, e faktikisht më i vogli që të ndodhë, është nëse Foda e zgjedh Leard Sadriun, i cili tërë karrierën ka luajtur në pozitën e qendërmbrojtësit, megjithatë prej kalimit në Superligën e Rumanisë po luan si mbrojtës i majtë, andaj ai më shumë shihet si alternativë e Dion Gallapenit.
Kujtojmë, përballja mes Kosovës e Sllovenisë do të zhvillohet të premten me fillim nga ora 20:45./Telegrafi/




















































