LAJMI I FUNDIT:

Formësimi i dramës shqipe (1920-1939)

Formësimi i dramës shqipe (1920-1939)
Ilustrim

Nga: Josif Papagjoni

E dalë më në fund nga terri osman, kalbja antropologjike, ligjet e hekurta të Sheh-Ul-Islamit dhe tespihet, ku artet, sidomos piktura dhe teatri ndaloheshin me ligj dhe quheshin shëmbëlltyra të satanit-shejtanit, vetëm në fund të shek. XIX, aroma dhe hijeshia e teatrit nisën të ndihen edhe në Shqipërinë e lodhur e në zgrip të zhbërjes. E si mund të hamendësohej teatri në një Shqipëri arkaike, pa salla dhe godina, me njerëz të paditur lënë për ibret, pa shkolla, pa artistë, ca më tepër kur gjinia e dramës, si më sqimatarja dhe e vështira e letërsisë, kishte ligje të rrepta, ku shprehja lirike dhe narrativat grishëse përjashtoheshin, se qenë hipoteka të poezisë dhe prozës. Dhe siç letërsia shqipe erdhi nga përtej detit, nga arbëreshët, ashtu erdhi edhe drama, e shkruar fillimisht në italisht e më pas në shqip. Ishin shkrimtarët katolikë dhe kisha që i dhanë asaj një gjuhë, filluar me “Nata e Këshndellave” e Leonardo de Martinos më 1881, një tekst me karakter liturgjik, pastaj “Emira” (1885) dhe “Alles Dukagjini” (1891) të Anton Santorit, i cili mund të quhet edhe dramaturgu i gurit të parë të themelit. “Emira” vjen brenda poetikës së romantizmit me gërshetime të elementëve të klasicizmit, komedisë baritore dhe melodramës, ndërsa “Allesi…”, ani pse në po këtë poetikë, sjellë temën e parapëlqyer të besës dhe pabesisë falë një strukturë klasike trekëndore: Jerina, Allesi, Zakaria.

Më pas erdhi  “Besa” e Sami Frashërit, e shkruar në turqisht më 1875 dhe në shqip më 1901. Kaq shumë u vu kjo dramë në qytetet shqiptare nga Korça, Shkodra, Janina, Gjirokastra, Manastiri, Vlora e gjer në Gjirokastër e më thellë, sa mund të thuash se ishte ajo që e preu edhe shiritin e teatrit shqiptar. E panë mijëra njerëz dhe kuptuan, ose ndjenë, qoftë pse të kredhur në paditurinë e tyre, fuqinë publike të teatrit, ndezullinë e tij për të drithëruar shpirtrat. Po pse tronditi kaq shumë kjo dramë? Ndofta për atë ç’ka bartte vetë titulli i saj, pra Besa, ky asht antropologjik i shqiptarëve i shfaqur si virtyt i rrallë dhe si krenari, sa madhështore, aq dhe fatale. “Shqiptari kur jep fjalën, ther dhe djalën”, ja ky lloj talismani i zbuluar më në fund nga një shkrimtar-dijetar si Shemshedin Samiu, përveç tragjizmit të thellë dhe situatave të jashtëzakonshme jo dhe pa efektet sentimentaliste a një petk ekzotik përsipri, e rrëqethi publikun duke rrugëtuar përmes asgjësimit të së keqes deri te linja e gjakut at-bir, kur i pari vret të dytin (Fetahu, Selfon), për hakën e një të trete (Vahidesë).


Ai që i habiti shkrimtarët e dramës së fillimeve qe prifti Fan S. Noli, i cili në rininë e hershme, në Athinë, shkroi Izraelitë e filistinë, botuar më 1907 dhe e quajti “sqelet drame”. Paçka se e tillë, ajo mbetet nga vlerat e rralla të trashëgimisë sonë. Prifti mendjendritur thiri në ndihmë rrëfenjën e Dhiatës së Vjetër, mitin e Samsonit. Me forcë apo me bindje duhej hapur udha e të vërtetës – pyeste i shuguruari rebel? E vërteta duhet rrokur njëherit nëpërmjet bindjes dhe forcës, ide e cila përkonte me detyrat e shtruara për zgjidhje para shqiptarëve në luftën që ata duhej të bënin për të fituar lirinë dhe pavarësinë e tyre. Ani pse i ri, Noli ndërkalli ide universale që prekin ekzistencën njerëzore, kuptimin e të drejtës, fljimin për të vërtetën, dikotomitë gjithëkohore të së mirës dhe të ligës, besnikërisë dhe tradhtisë, reales dhe fantastikes, të njëmendtës dhe mitit. Një hop të duket se ai ngarendej drejt poetikave të letërsisë moderniste që risemantizonte mitet, dhe them se e ka njohur bukur mirë këtë teknikë.

Gjatë kësaj kohe shkruajnë drama edhe Namik Delvina, Tito Toska, Shtjefën Gjeçovi, Mihal Grameno, Foqion Postoli, Kristo Floqi, Haki Stërmilli, Zef Harapi etj. Për pamundësi kohe, unë po i anashkaloj. Vitet 1912-1924 dhe më pas 1925-1939 shënojnë një përparim të ndjeshëm në fushën e dramaturgjisë. Rritet numri i autorëve dhe i veprave, spikatin përmirësime në strukturimin e dramës si gjedhe letrare, po ashtu bëhen të qarta prirjet që mëtonin modele nga rrjedhat letrare bashkëkohore. Është koha kur zgjyra osmane u flak tej dhe dëshira për të shijuar gjellë të ndaluara të argëtimit publik nga teatri shoqëruar me histori ngjethëse, të pushtonte qytetet shqiptare duke hapur një varg shoqërish e grupesh artistike kulturore si: në Shkodër (shoqëritë “Bogdani”, “Rozafat”, “Vllaznia”, “Populli”), në Korçë (shoqëritë “Artet e bukura”, “Rinia korçare”), në Vlorë (shoqëritë “Labëria”, “Filodramatika”), në Elbasan (shoqëritë “Afërdita”, Egnatia”) etj. Këto shoqëri e të tjera, u bënë djepet dhe bujtësit ku dramaturgët dhe veprat e tyre u krezmuan si më të dashurit e më të mirëpriturit e kohës.

Krahas komedisë 14 vjeç dhëndër dhe tragjedisë Burri i dheut, A. Z. Çajupi solli një nga perlat e dramaturgjisë shqipe, komedinë Pas vdekjes (shkruar më 1910 dhe botuar më 1937), me një strukturë të tipit klasik, ku gjallonin 4 karaktere të spikatur, një gjetje e mprehtë komike, sarkazma therëse dhe elementët e groteskut. Sa e sa herë është vënë kjo vepër në skenë dhe përherë na ka mbushur me hare për gjithë kinsat, pseudopatriotët dhe intelektualët shterpë si budallai Adhamut, që thosh se shqipja jonë e bukur duhej shkruarj nga “e djathta në të mëngjër”. Mendja e Çajupit huajti një çelës: tundimin se ç’do thonë të tjerët pas vdekjes, kjo rëndomtësi e thashethemnajë që nuk e përballojmë dot. Përmes trukut të leximit të nekrologjisë, mjeti i vetëdemaskimit dhe ai i kontrastit midis dukjes dhe thelbit dha aq sharm veprës, sa dhe një rrugëtim të bukur në kozmosin tonë letrar.

Pa At Gjergj Fishtën drama shqipe do të kishte një raft bosh. Me 8 melodramat e tij, të strukturuara në trajtën e poemave dramatike, ku të këndellin për lirizmin dhe poezinë poema dramatike Jerina, ase mbretnesha e luleve; për kuptimet filozofike Odisea dhe Ifigjenia n’Aulli; për sensin atdhetar mes dialogësh moralë e historikë Shqiptari i gjytetnuem dhe Shqiptarja e gjytetnueme; për rikuptimësimet nga jeta e shenjtorëve si Shën Françesku i Asizit dhe Shën Luigji Gonzaga. Dramaturg i kahut mitologjik, ai solli risi dhe vështrime origjinale në dramaturgji. Si forma më e pastër dramatike e tij, Juda Makabe nuk e di pse ende nuk është prekur nga teatri bashkëkohor! Aty ndihen bukur mirë ligjësitë e organizimit dramatik të lëndës, ngjeshja dhe vijimësia progresive e veprimit, kundërshtitë e shprehura në konflikt etj. Mesazhi i besës dhe i pabesisë, ideja e tradhtisë së brendshme (linja e Alkimit), ndjenja e sakrificës ndaj atdheut dhe idealit në kushtet e mohimit dhe përbuzjes kolektive (linja e Juda Makabes), sjellin edhe sot jehona dhe sinteza përvojash historike e filozofike që lidhen me të kuptuarit e heroizmit, sakrificës dhe tradhtisë. Por nëse “Juda Makabe”, mbase i ka trembur regjisorët shqiptarë, komedia satirike Gomari i Babatasit,jo! Ishte Altin Basha me teatrin e Shkodrës ai që na e solli këtë satirë të pamëshirshme ku askush dhe asgjë nuk flalet. Vepra ka një prerje asilloj të realitetit shqiptar me shëmbëlltyrën tragjikomike të klasës politike të viteve 20-30, sa edhe sot na vjen si një sfidë ndaj elitave politike të korruptuara, të paafta për të ofruar vizione europianizuese. E kush i del dot para mllefit të pater Fishtës? Gjithçka veçse fshikullohet, përtallet, ironizohet në sherrnajat prej burracakësh dhe injorantësh, ku të gjithë shajnë dhe shahen, dhe prandaj në muzeun kombëtar ia vlen të “vendoset” veçse gomari i Baba Tasit, si relikti më domethënës i shqiptarëve grindavecë, gjithë asaj shpure snobistësh dhe provincionalësh që të marrin frymën, politikave të tyre antikulturore dhe kinse “oksidentalizmit”. A s’është po njësoj dhe sot?

Fe e kombësi, Triumfi i lirisë, Karllo Topia dhe Pirro Neoptolemi, në këto katër drama të Kristo Floqit historia vjen si dëshmi e zulmës së të parëve në funksion të zgjidhjes së problemeve madhore të kohës, e nevojës për unitet kombëtar dhe homogjenitet shpirtëror, për mirëkuptim fetar. Porse ky autor la gjurmë në dramaturgjinë shqipe veçanërisht me 28 komeditë e tij të shkurtra, që karakterizohen nga situatat komike zbavitëse e plot fantazi, nga karakteret e gjalla, fjalët e mprehta dhe befasimet humoristike. Humori “i lehtë” dhe sensi argëtues, prania e paradokseve dhe të papriturave, me përdorimin e alogjizmave dhe burleskut, sikurse edhe antroponimizimi i personazheve me emra përtallës si Halldupi, Dudumi, Sorollopi, Kopani, Strumbullari, Duduku, Kastraveci, Galica, etj, e shton efektin komik. Jo njëherë, ai është quajtur si Molieri i komedisë shqiptare. Komeditë “Vëllazëri e interes”, “Zi e më zi”, “Sorollopi” etj, kanë gjetur dritën e skenës kaq e kaq herë në teatrot tona, por më habit fakti përse “Qerthulli politik”, kjo satirë inteligjente politike nuk ka mundur ta gjejë dot atë…

Do të kisha qejf të flisja edhe për disa drama të Foqion Postolit, sidomos komedinë “Martesa e një avokati”, për Haki Stërmillin dhe trilogjinë e tij Dibrania e mjerueme, ku përmes brengave te zgjidhjet fatlume me një lloj katarsisi të natyrës së triumfit dhe shpresës. Vitet 20-30 patën në banketin e dramës edhe Kolë Mirditën, Zef M. Harapin, Milo Duçin, Henrik Lacajn, Filip Papajanin, me një mori veprash, por diçka duhet thënë medoemos për njërin nga autorët më në zë të viteve ’20-’30, Et’hem Haxhiademin, i krahut mitologjik, i cili lëvroi tipin e dramës antike e neoklasike, por pa hequr dorë nga përditësimi i subjekteve. Me tragjeditë e tij me motive nga shkrimet e shenjta dhe mitet e lashta (Abeli, Akili, Diomedi, Ulisi), apo nga historia dhe heronjtë e moçëm të shqiptarëve (Pirrua, Aleksandri, Skënderbeu), ai sendërtoi një kah jo fort të rrahur të dramës shqipe duke u rrekur të gjejë pikat e takimit midis të shkuarës dhe të sotmes, më së shumti nën një optikë filozofike universalizuese, duke “ngacmuar”, siç mëtonte vetë, plagë shoqërore, ku e moçmja i fliste të sotmes kurse e sotmja riformësohej hipotetikisht në kurmin e mitit, legjendës apo historisë së mbyllur. Paçka se mbi ligjërimin dramatik peshon një stil e parapëlqim shpesh racional e me tepri parashtrimesh logjike-cerebrale, megjithatë si kundër-rrjedhë ai mbishtreson monologë hermetikë, qëndrime e gjësende ambiguide, që veçse hamendësohen, çka sjellë si pasojë një ankth të brendshëm bashkëshoqërues. Mund të thuhet se tragjeditë e E. Haxhiademit janë prijëse të modernizmit në dramaturgjinë shqipe.