Fondi i Kosovës për Efiçiencë të Energjisë (FKEE) njofton se ka shpallur thirrje publike për zbatimin e projektit që synon përmirësimin e kursimit të energjisë dhe rritjen e mirëqenies në ndërtesat shumë-banesore sociale në pronësi të komunave në Kosovë.

FKEE-ja i fton të gjitha komunat e interesuara që t’i dorëzojnë aplikacionet e tyre, që përfshinë grant për të investuar në masat e efiçiencës së energjisë që do t’i rrisin kursimet e energjisë dhe (ii) përmirësimin e kushteve të jetesës së banorëve në ndërtesat shumë-banesore sociale, kryesisht grupet sociale të pa-favorizuara dhe të cenueshme (NSHB).


Aplikuesi duhet t’i propozojë NSHB-të sociale që i plotësojnë kriteret e parapara në thirrje.
- Ndërtesa e propozuar duhet të jetë në pronësi të komunës përkatëse;
- Ndërtesa e propozuar duhet të jetë e banueshme;
- Ndërtesa e propozuar duhet të jetë e banuar nga familjet përkatëse;
- Ndërtesa e propozuar duhet të jetë e qëndrueshme dhe pa defekte në aspektin e strukturës dhe nuk i është nënshtruar ndonjë rinovimi të plotë për efiçiencë të energjisë në pesë (5) vitet e fundit;
- Ndërtesa e propozuar aktualisht nuk është pjesë e ndonjë plani të transformimit, mbylljes, ri-destinimit apo privatizimit;
- Linjë buxhetore specifike në dispozicion;
- Zotimi i aplikuesit për ta siguruar qëndrueshmërinë dhe mirëmbajtjen e investimeve.

Për çdo NSHB të përzgjedhur, FKEE-ja do t’i identifikojë masat përkatëse të efiçiencës së energjisë që do të zbatohen duke u bazuar në analizën e ndërtesës, të dhënat e konsumit, potencialin për kursim të energjisë dhe nivelin e mirëqenies.

Masat e parapara që mund të aplikohen në kuadër të projektit.
- Mbështjellësi i ndërtesës;
- Përmirësimi/ndërrimi i kaldajave/bojlerëve dhe sistemit të ngrohjes;
- Ndërrimi/zëvendësimi i lëndës djegëse/diversifikimi;
- Lidhja me sistemin e ngrohjes së qytetit;
- Përmirësimi/instalimi i sistemeve automatike dhe të kontrollit;
- Izolimi i tubave dhe pajisjeve;
- Pompat termike për ngrohje dhe ftohje;
- Ndriçimi LED në ndertësë;
- Kontrolli automatik i sistemeve të ndriçimit në ndertësë;
- Masa të tjera të këshilluara.

Megjithatë, FKEE thotë se masat e sakta të efiçiencës së energjisë do të përcaktohen vetëm pas përfundimit të auditimit të detajuar të energjisë dhe dizajnit të detajuar të NSHB-ve sociale të përzgjedhura.

Aplikimet duhet të dorëzohen vetëm në mënyrë elektronike në adresën: publiccalls@fkee-rks.net.

FKEE thekson se aplikimet do të zgjidhen mbi bazën “kush vjen i pari, shërbehet i pari” në varësi të plotësimit të kritereve të treguar në thirrje.

Nëse hasni ndonjë vështirësi gjatë paraqitjes së aplikacionit tuaj online, ju lutemi na kontaktoni duke përdorur detajet e mëposhtme të kontaktit: info@fkee-rks.net ose telefon +38338223777, në çdo ditë punë nga ora 08:30-16:30.

Afati i aplikimit është deri më 17 prill 2023, pra fundi i ditës kalendarike.