Kombëtarja e Kosovës ka filluar grumbullimin për dy ndeshjet e muajit nëntor, ku do të përballet me Slloveninë dhe Zvicrën.

Përzgjedhësi i Kosovës, Franco Foda ka folur për rikthimin e Amir Rrahmanit në ekipin kombëtar pas lëndimit të gjatë, por edhe për formën e Edon Zhegrovës.


Dardanët do të përballen me Slloveninë më 15 nëntor në Lubjanë, derisa tre ditë më vonë presin Zvicrën në Fadil Vokrri.

Foda ka deklaruar për Zhegrovën se pasi ka filluar të luaj më shumë te Juventusi, do të ketë minuta më shumë edhe te Kosova.

“Amir Rrahmani ka qenë jashtë për dy muaj për shkak të lëndimit. Tani është rikthyer dhe është shëruar plotësisht. Javën e kaluar ka luajtur tri ndeshje, por duhet të rigjenerohet, të përshtatet me ekipin dhe të jetë gati për ndeshjet e ardhshme".

"Sa i përket Zhegrovës, ai po fiton më shumë minuta lojë, që është shumë e rëndësishme për t’u rikthyer në formën fizike optimale. Këtë e kemi parasysh. Tani kemi shumë lojtarë në dispozicion dhe të gjithë janë në gjendje të mirë shëndetësore. Pas minutave të fituara në skuadrën e tij, do të mundohemi t’i sigurojmë edhe më shumë minuta se në ndeshjet e kaluara", tha Foda. /Telegrafi/

telegrafi sport app