LAJMI I FUNDIT:

Florentina Kallaba, trajnerja e së ardhmes

Florentina Kallaba, trajnerja e së ardhmes

Dikur në Kosovë ishte tabu që femrat të merreshin me sport. Mirëpo, në dekadat e fundit gjërat kanë ndryshuar dukshëm. Sporti i Kosovës mund të krenohet me një femër e ajo është Majlinda Kelmendi.

Krahas Majlindës që po mahnit në xhudo, edhe në sportet kolektive, po ‘lulëzojnë’ femrat.

Florentina Kallaba është nga Kamenica derisa me sport merret që nga fëmijëria. Për një kohë ‘Tina’ i’u përkushtua atletikës, derisa është marrë edhe me futboll teksa i ka mbrojtur ngjyrat e skuadrës Intelektualet nga Gjilani.

“Sportin e kam dashur që në fëmijëri. Jam marrë me atletikë dhe futboll, ku kam qenë edhe kapiteni te skuadra Intelektualet. Tashmë jam në studime dhe lojën aktive e kam lënë pak pas dore”, ka thënë për Gazetaolle.com, Florentina Kallaba.


23-vjeçare gjithashtu është edhe e pajisur me licencën B elite nga UEFA.

‘Tina’ synon që në të ardhmen të pajiset edhe me licencën profi derisa e synon një ekip të meshkujve. “Synoj të punoj si trajnere, edhe pse e di se më duhet shumë punë”.

Në pyetjen se çka do ta dallonte ‘Tinën’ nga trajnerët e tjerë, ajo deklaroi: “Kisha ma qenë shumë strikte. Dihet se në Kosovë nuk janë kushtet edhe aq të mira për punë. Do t’i kisha motivuar lojtarët maksimalisht”, shtoi Kallaba, të cilës i pëlqen mënyra e lojës së trajnerit të Barcelonës, Luis Enrique.

Në fund, Kallaba tha se për skuadrat kosovare, do të kishte shumë dëshirë që ta drejtonte Dritën e Gjilanit. (Gazetaolle.com).