“Flet me agjendë”- Rexhaj i përgjigjet Albert Krasniqit pas deklaratave për rivotim në Mitrovicë

Deputeti i LVV-së, Abrër Rexhaj ka reaguar ndaj deklaratave të Albert Krasniqit nga Demokracia Plus, i cili tha që Mitrovica duhet të shkojë në rivotim pas problemeve që janë paraqitur me fletëvotime.
Krasniqi në një postim tha se “exit poll-i nuk përputhet me rezultatet zyrtare vetëm në Mitrovicë”.
E deputeti Rexhaj ka pyetur se prej kur vullneti i qytetarëve duhet të përputhet me rezultatet e exit polleve.
“Edhe në Gjakovë, Prizren, Gjilan e Suharekë, kandidatët kanë më pak vota se në rundin e parë. Fakti që edhe për gjëra të tilla manipulon, tregon që flet me agjendë e jo si i paanshëm”, ka shkruar Rexhaj.
Ai ka shtuar se fletëvotime me gabime në numra serikë ka pasur edhe në Gjakovë.
“ Kjo siç u sqarua nga KQZ dhe kompania, nuk e cenon integritetin e votës, sepse fletëvotimi përmban edhe shenja tjera të sigurisë që parandalojnë falsifikimin” ka shkruar Rexhaj. /Telegrafi/


















































