Me fizikun e tonifikuar dhe shtimin në peshë, Fury premton se do ta nokautojë Wilderin

Tyson Fury ka premtuar se do ta nokautojë Deontay Wilderin në rimeçin që zhvillohet në Las Vegas, të vlefshëm për titullin WBC.
Ndërkohë që e ka vënë në pah fizikun e tonifikuar dhe më të rëndë në krahasim me duelin e parë. Kur e zhvilluan meçin e parë në dhjetor të vitit 2018, britaniku peshonte rreth 116 kilogramë, ndërsa pesha e tanishme e tij është 124 kilogramë.
Mirëpo, në peshë kishte shtuar edhe Wilder. Nga 96 kilogramë sa kishte në përballjen e parë, tash peshon 105 kilogramë.

“Jam i kënaqur me peshën, akoma më i kënaqur me publikun. Turma ishte 99 për qind tifozë të Furyt, kanë udhëtuar dhe kanë sakrifikuar, faleminderit dhe nuk do t’ju zhgënjej”.
“Ai po përpiqet të shkaktojë zënkë, por i duhet më shumë fuqi, të gjithëve na duhet. Do të jetë një mbrëmje e hershme për dikë (duke aluduar në nokautimin e Wilder)”.

“Shumë respekt për të gjithë, ju dua të gjithëve dhe do të shkojmë për triumf që në raundin e dytë”, ka thënë ‘Gypsy King’. /Telegrafi/




















































