Finlanda thërret ambasadorin rus për shkelje të dyshuara të hapësirës ajrore

Ministria e Jashtme e Finlandës tha të hënën se kishte thirrur ambasadorin e Rusisë në Helsinki, për një shkelje të dyshuar të hapësirës ajrore finlandeze që ndodhi javën e kaluar.
Finlanda, një vend anëtar i NATO-s, tha të premten se besonte se dy aeroplanë ushtarakë rusë hynë në hapësirën e saj ajrore, pranë brigjeve të Porvoo-s në pjesën jugore të vendit nordik dhe se Roja Kufitare finlandeze po hetonte incidentin, transmeton Telegrafi.
"Ambasadorit iu tha se Finlanda e merr seriozisht shkeljen e dyshuar territoriale", tha ministria e Jashtme finlandeze në një deklaratë për Reuters.
Ambasadori kishte lënë të kuptohej se do ta përcillte mesazhin, tha ministria pa dhënë detaje.
Rajoni i Detit Baltik është në gatishmëri të lartë pas një sërë ndërprerjesh të kabllove të energjisë, lidhjeve të telekomunikacionit dhe tubacioneve të gazit që kur Rusia pushtoi Ukrainën në vitin 2022, me aleancën e NATO-s që rriti praninë e saj në zonë me luftanije, aeroplanë dhe dronë detarë. /Telegrafi/




















































