LAJMI I FUNDIT:

Filozofiku i paguan profesorët pa i mbajtur orët mësimore

Filozofiku i paguan profesorët pa i mbajtur orët mësimore

Shtatë profesorë të Fakultetit Filozofik në Universitetin e Prishtinës “Hasan Prishtina” kanë pranuar pagesa për orët mësimore të cilat nuk i kanë mbajtur fare.

Pagesat e parregullta janë evidentuar nga Auditori i Brendshëm i këtij Universiteti. Gazeta Jeta në Kosovë e ka siguruar një kopje të draft-raportit të Auditorit për periudhën janar 2016- shkurt 2017 për Fakultetin Filozofik.

Raporti shpërfaq shkelje të shumta që bëhen nga stafi akademik për çështjen e pagesave, por edhe shkelje që tregojnë lëshime të shumta në procesin mësimor në këtë fakultet.

Auditori i Brendshëm ka gjetur se gjatë vitit 2016 janë regjistruar shtatë raste të pagesave në mospërputhje me orët e mbajtura në Fakultetin Filozofik. Të gjitha rastet kanë të bëjnë me profesorët që kanë pranuar paga të rregullta, megjithëse nuk i kanë mbajtur orët e parapara, pra nuk e kanë plotësuar normën e orëve të paraparë me kontratë.

Auditori thotë se në muajin mars, tetor, nëntor dhe dhjetor të vitit 2016 janë realizuar pagesa ndaj mësimdhënësve që nuk kanë plotësuar normën e orëve.

Auditori nuk i përmend me emër profesorët që i kanë pranuar këto mbi-pagesa, mirëpo e tregon vetëm numrin e kontratës që ata mbajnë. Auditori ka gjetur se mësimdhënësi me numër të kontratës 2/869, në muajin mars të vitit 2016 ka pasur dy orë më pak të mbajtura.

Mësimdhënësi me numër të kontratës 3/653 në po të njëjtin muaj ka pasur katër orë më pak të mbajtura si dhe nëntë orë të tjera mungesë në muajin nëntor të vitit 2016.

Pesë orë më pak i ka pasur mësimdhënësi me kontratë pune 3/629 në muajin tetor të vitit 2016.

Mësimdhënësi me numër të kontratës 3/629 ka mbajtur nëntë orë më pak në muajin nëntor si dhe në dhjetor mësimdhënësi me numër të kontratës 2/15 ka mbajtur katër orë më pak se norma e paraparë në kontratë.

‘Gazeta Jeta në Kosovë’, ka kontaktuar me zyrën për media të Fakultetit Filozofik për të kërkuar identitetin e profesorëve të përmendur në këto shkelje për të cilën ata nuk kanë kthyer përgjigje. Ata në përgjigjet e tyre i kanë minimizuar të gjeturat e auditorit të brendshëm, duke i vlerësuar ato me probleme teknike.

Menaxhmenti i këtij fakulteti i është përgjigjur pyetjeve të Gazetës Jnk përmes Zyrës për Media të këtij fakultet.

“Auditori ka konstatuar gabime teknike në disa raste shumë të kufizuara në raportin orë – pagesa, gjë që ka nxitur reagimin e menjëhershëm të menaxhmentit të Fakultetit Filozofik në kërkimin e ndalesës së mjeteve financiare për stafin”, thuhet në përgjigjen e zyrës për informim të këtij fakulteti.

Por, ata nuk janë përgjigjur nëse këto pagesa tashmë i janë ndalë, apo ende ndalesa është në fazën e kërkesës.

Në këtë fakultet thonë se problemi i pagesës së profesorëve përkundër që ata nuk i kanë mbajtur orët do të zgjidhjet me programin e ri elektronik.

“Sidoqoftë, çështjet, që kanë të bëjnë me mbarëvajtjen e mësimit dhe pagesat përkatëse, tashmë do të jenë të rregulluara në mënyrë elektronike, sepse së shpejti në Fakultetin Filozofik pritet vendosja e regjistratorëve elektronikë për mbajtjen e mësimit”, thuhet në përgjigjen e tyre.

Auditori ka gjetur edhe shkelje të tjera që kanë të bëjnë me mashtrime të shumta në procesin mësimor.

“Raportet e mbajtjes së mësimit nuk janë plotësuar drejt, mungon data e mbajtjes së mësimit, mungon ora, raporte blanko, listat e pavërtetuara nga shefat e departamenteve. Mbajtja e mësimit me një student, dy studentë, tre student ku mësimi zhvillohet në grupe, lista të paplotësuara (kompletuara), lista identike me nënshkrimet e studentëve në data të ndryshme, mbajtje e mësimit nga 10, 9 orë pa ndërprerë”, është konkluzioni i auditorit.

Rreth mënyrës së plotësimit të raporteve të mbajtjes së mësimit dhe vërtetimit të tyre nga personat përgjegjës, zyrtarë të fakultetit janë arsyetuar sërish me lëshime teknike.

“Lidhur me konfirmimin e raporteve nga personat përgjegjës të njësisë akademike kërkesa është, që formularët përkatës të realizimeve të nënshkruhen edhe nga prodekani për mësim dhe çështje të studentëve, përveçse se nga referenti për mësim. Prodekani në fjalë gjithmonë ka mbikëqyrur procesin në mënyrë rigoroze, por meqenëse është diskutuar, që duhet të nënshkruajë dokumentin në fjalë, atëherë kjo është realizuar edhe para se të jepet forma përfundimtare raportit të tillë. Sigurisht bëhet fjalë për një çështje teknike dhe aspak thelbësore”, arsyeton ky fakultet.

Përveç kësaj, zyrtarë të filozofikut konsiderojnë se rregulloret mbi të cilat auditori ka konstatuar shkelje janë të centralizuara dhe nuk reflektojnë punën e stafit akademik në fakultet.

“Sidoqoftë, është një konstatim i përgjithshëm, që rregulloret përkatëse, të cilat i rregullojnë këto çështje, janë tepër të centralizuara dhe shpesh nuk reflektojnë dinamikën e punës në fakultete të ndryshme”, thuhet në përgjigjet e menaxhmentit të këtij fakulteti.

E  shembulli që ata e marrin për të argumentuar “centralizimin e rregulloreve” ka të bëjë me pagesa që stafi akademik nuk arrin t’i marrë.

“Për shembull, nuk është e pazakonshme të ketë stafi akademik, që mban orë, të cilat nuk u paguhen për shkak të kufizimeve të rregulloreve në fjalë për të ardhura financiare. Pra, nuk bëhet fjalë asesi për ndonjë shkelje ligjore ose moszbatim të ligjit”, konstatojnë ata.

Por, i njëjti raport i Auditorit ka konstatuar se në disa raste, stafi akademik ka pranuar pagesa edhe për orët që nuk i kanë mbajtur fare.

Në komentet e bëra nga Fakulteti Filozofik rreth këtyre të gjeturave , ata janë zotuar se do të bëjnë revidimin apo kthimin e mjeteve të paguara për profesorët që nuk i kanë mbajtur orët e parapara.

Edhe Zyra Kombëtare e Auditorit, që është auditor i jashtëm, ka evidentuar shkelje të shumta në tërë Universitetin e Prishtinës.

Ndërkohë, në mars emisioni ‘Jeta në Kosovë’, ka transmetuar hulumtimin mbi avansimet e parregullta në Fakultetin e Mjekësisë të Universitetit të Prishtinës ‘Hasan Prishtina’.

Në trend Lajme

Më shumë
Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Pse Mali i Zi votoi kundër Kosovës në KiE, flet Dritan Abazoviq

Lajme
Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës,

Aktivitete nga Serbia për sulm “hibrid” ndaj Kosovës, "Octopus": Urgjentisht të koordinohen veprimet me ndërkombëtarët

Siguri
Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Tha se ditë të vështira e presin Serbinë, Vuçiq: Nesër ose pasnesër i merrni përgjigjet

Lajme
Si ndikon dygjuhësia në zhvillimin neurokognitiv te fëmijët dhe roli i teknologjisë – shpjegon Pervizaj, mjeke Neuroshkencës Kognitive

Si ndikon dygjuhësia në zhvillimin neurokognitiv te fëmijët dhe roli i teknologjisë – shpjegon Pervizaj, mjeke Neuroshkencës Kognitive

Elfije Boletini
Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Nga 3 prilli gjoba të larta për shkelësit e rregullave në trafik - këto janë ndryshimet me Ligjin e ri

Lajme
Këshilli i Sigurimit i OKB-së refuzon serish propozimin rus të diskutohet për sulmet ajrore të NATO-s mbi Serbinë

Këshilli i Sigurimit i OKB-së refuzon serish propozimin rus të diskutohet për sulmet ajrore të NATO-s mbi Serbinë

Lajme
Kalo në kategori