Filodendroni juaj s’po rritet? Ja gabimi që po e bëni dhe vendi ku duhet të qëndrojë gjatë dimrit!

Një ndryshim i vogël në vendosje mund ta ringjallë tërësisht bimën tuaj
Filodendroni, i njohur si një nga bimët më të qëndrueshme të ambienteve të brendshme, njihet për gjethet e tij imponuese me prerje dekorative. Me origjinë nga rajonet tropikale të Amerikës Qendrore dhe Jugore, ai mund të arrijë deri në tre metra lartësi dhe, për shkak të lehtësisë së mirëmbajtjes, zbukuron me krenari shumë shtëpi në gjithë madhështinë e tij. Nëse i siguroni pozicionin e duhur, kësaj bukurie do t’i mahniteni edhe gjatë ditëve të ftohta të dimrit…
Me një siluetë elegante nuk është vetëm një bimë dekorative e famshme në mbarë botën, por edhe një simbol i jetëgjatësisë dhe harmonisë. Është jashtëzakonisht rezistent dhe i qëndrueshëm, nuk kërkon shumë kujdes për sa i përket mbajtjes dhe ujitjes, dhe në këmbim do t’ju shpërblejë me pamje të gjalla, idomos kur çel me gjithë fuqinë e tij ose kur rritet deri në tavan.
Gjethet e mëdha, lëkurore, me prerje dhe vrima karakteristike, të cilat nganjëherë arrijnë deri në 80 centimetra gjatësi, sjellin atmosferën e xhunglës tropikale në shtëpinë tuaj dhe freskojnë të gjithë hapësirën.
Duke pasur parasysh origjinën, koha e tij ideale është -vera. Megjithatë, filodendroni mund të lulëzojë edhe gjatë dimrit, për aq kohë sa i kushtojmë pak më shumë kujdes në këtë periudhë specifike. Temperaturat e ulëta, ditët e shkurtra dhe ajri i thatë nga ngrohja qendrore mund të ndikojnë në rritjen e tij. Shpesh shfaqen simptoma si gjethe të verdha me maje kafe ose rritje e ngadalësuar. Por ka një zgjidhje të thjeshtë që mund të bëjë ndryshim të madh, transmeton Telegrafi.

Nxehtësia, drita dhe lagështia, tri elemente kyçe! Nëse mungon njëri prej tyre, bima mund të fillojë të ketë probleme. Një nga gjërat më të rëndësishme që duhet të bëni kur fillojnë ditët e ftohta është të kontrolloni vendin ku e mbani filodendronin.
Sipas specialistëve të “The Jungle Collective”, vendi ideal gjatë dimrit është pranë një dritareje të orientuar nga jugu, pasi kjo i siguron mjaftueshëm dritë natyrale. Temperatura optimale është ndërmjet 18 dhe 24 gradë Celsius. Asnjëherë mos e vendosni pranë radiatorit apo pranë një dritareje që hapet shpesh, pasi korrenti dhe ndryshimet e papritura të temperaturës mund ta dëmtojnë.
Për shkak se ngrohja qendrore e than ajrin, rekomandohet përdorimi i një lagështuesi të ajrit në dhomën ku gjendet filodendroni. Mund të ndihmojë edhe spërkatja e lehtë e gjetheve me ujë. Një tjetër gabim i zakonshëm është teprimi me ujë, i cili mund të shkaktojë kalbje të rrënjëve. Po ashtu, ulni edhe frekuencën e plehërimit, ekspertët thonë se një herë në muaj është më se e mjaftueshme gjatë dimrit. /Telegrafi/


































