LAJMI I FUNDIT:

Filmi i parë për koronavirusin

Filmi i parë për koronavirusin

Ndonëse sallat e kinemave janë mbyllur, filmi i parë për virusin Covid-19, tashëm është xhiruar.

Filmi “Korona” me regji të Mostafa Keshvari, zhvillohet në një ashensor, ku një vajzë kineze (Traei Tsai) – e cila mund të jetë e infektuar nga virusi – mbetet e bllokuar brenda me shtatë persona të tjerë. Çfarë do të ndodhi në vazhdim?


“Korona” trajton temën e paragjykimit. “Ky film flet për frikën, një studim mbi shoqërinë, njerëzit dhe zgjedhjet e tyre”, thotë regjisori të cilit kjo ide i lindi teksa ishte në ashensor, dy muaj më parë, dhe ishte duke lexuar lajmet për sulmet që po përjetonin turistët kinezë, të nxitur nga paranoja mbi koronavirusin.

Keshvari rikujton se “Covid-19 fillimisht u përkufizua si virusi kinez. Por, tashmë ai infekton këdo pa dallim race. Sot raca njerëzore duhet të bashkohet për të mundur këtë virus. Virusi nuk bën diskriminime, atëherë pse ne duhet të bëjmë diskriminim”!?

Filmi është xhiruar brenda disa ditëve në muajin shkurt, me një trupë prej 25 aktorësh, kur epidemia sapo kishte nisur. Filmi do të shpërndahet në internet. /BW/