Fillon testimi me QuantiFERON-TB Gold Plus (QFT-Plus) në IKShPK për diagnostikimin imunologjik të infeksionit me tuberkuloz

Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik të Kosovës (IKShPK) ka njoftuar publikun dhe profesionistët shëndetësorë se ka filluar ofrimin e testimit laboratorik QuantiFERON-TB Gold Plus (QFT-Plus), një metodë moderne dhe e avancuar për zbulimin e infeksionit me Mycobacterium tuberculosis.
Sipas njoftimit thuhet se QuantiFERON-TB Gold Plus është test diagnostik in vitro, i bazuar në analizën e gjakut, i cili mat përgjigjen imunitare qelizore ndaj Mycobacterium tuberculosis përmes detektimit të gama-interferonit (IFN-γ).
“Ky test përdoret për identifikimin e infeksionit latent me tuberkuloz, si dhe si ndihmë në vlerësimin diagnostik të rasteve të dyshuara. Përparësitë e testit QuantiFERON-TB Gold Plus: Nuk ndikohet nga vaksinimi BCG. Kërkon vetëm një vizitë për marrjen e mostrës së gjakut. Ofron specifikë dhe ndjeshmëri të lartë”, thuhet në njoftim.
Po ashtu testimi kryhet vetëm në laboratorin referent nacional të Tuberkulozës në IKShPK, sipas indikacioneve klinike dhe me referim nga mjeku përkatës. Interpretimi i rezultateve bëhet në përputhje me udhëzimet ndërkombëtare dhe gjithmonë në kontekstin klinik të pacientit.
“IKShPK mbetet e përkushtuar në përmirësimin e shërbimeve laboratorike dhe forcimin e kapaciteteve diagnostike për parandalimin dhe kontrollin e tuberkulozit në Kosovë. Për informata shtesë, qytetarët dhe profesionistët shëndetësorë mund të kontaktojnë IKShPK-në përmes kanaleve zyrtare të komunikimit”, thuhet në njoftim. /Telegrafi/



















































