Shtime ka nisur aksioni për largimin e deponisë së mbeturinave në zonën e njohur si te pishat e qytetit, me synimin për përmirësimin e gjendjes mjedisore dhe krijimin e një hapësire më të pastër për qytetarët.

Sipas njoftimit të Komunës së Shtime, aksioni po realizohet nga Drejtoria e Shërbimeve Publike dhe përfshin pastrimin dhe largimin e mbeturinave të grumbulluara në këtë pjesë të qytetit.


Drejtori i Drejtorisë së Shërbimeve Publike, Halil Kurtishi, deklaroi se ndërhyrja është pjesë e angazhimeve të vazhdueshme institucionale për mirëmbajtjen e hapësirave publike dhe mbrojtjen e ambientit.

Ai theksoi se veprime të ngjashme do të vazhdojnë edhe në zona të tjera, me qëllim ruajtjen e pastërtisë dhe përmirësimin e kushteve për komunitetin.

Kurtishi u bëri thirrje qytetarëve që të tregojnë përgjegjësi, duke shmangur hedhjen e mbeturinave në hapësira të papërshtatshme, në mënyrë që të ruhet pastërtia dhe shëndeti publik. /Telegrafi/