Sot (e martë) FIFA ka zgjedhur më të mirët e vitit në një ceremoni të mbajtur në Doha të Katarit.

FIFA ka zgjedhur redaktorin e sportit të Telegrafit, Lavdim Pireva, për të votuar krahas kapitenit Amir Rrahmani dhe përzgjedhësit të Kombëtares së Kosovës, Franco Foda.


'Lojtari i Vitit' u shpall Ousmane Dembele, 'Trajneri i Vitit' i takoi Luis Enriques, teksa 'Portieri i Vitit' u shpall Gianluigi Donnarumma.

Pireva ka votuar në tri kategori të ndryshme: ‘Lojtari i Vitit’, ‘Trajneri i Vitit’ dhe ‘Portieri i Vitit’.

Në kategorinë ‘Lojtari i Vitit’, Pireva e ka vlerësuar me pikë maksimale (5) yllin e PSG-së, Ousmane Dembele, pas heroizmave të tij në një sezon ku gjiganti francez u shpall fitues i Ligës së Kampionëve.

Pas tij me tri pikë në vendin e dytë Pireva e zgjodhi Lamine Yamal të Barcelonës, ndërsa Kylian Mbappe i Real Madridi ishte i treti me një pikë.

Në kategorinë ‘Portieri i Vitit’, redaktori i Telegrafit me pikë maksimale e vlerësoi Gianluigi Donnarummën, teksa në treshen e tij më të mirë pati vend edhe për Thibaut Courtois dhe David Raya.

Ndërkohë në kategorinë ‘Trajneri i Vitit’, Pireva me pikë maksimale e votoi Luis Enriquen i cili udhëhoqi PSG-në drejt triumfit në Ligën e Kampionëve, teksa në pozitat dy dhe tre renditi Arne Slot të Liverpool dhe Enzo Maresca të Chelseat.

Të gjitha këto përzgjedhje u bën duke marrë parasysh arritjet e secilit lojtar/trajner me klubet respektive./Telegrafi/

telegrafi sport app