FIFA ka kërcënuar me ndalimin e regjistrimit të lojtarëve të rinj për Athletic Bilbao deri në vitin 2028, pasi klubi bask është përfshirë në listën e skuadrave të sanksionuara për tre afate kalimtare.

Sezoni aktual nuk ka qenë i lehtë për ekipin nga Bilbao.


Edhe pse në fillim të korrikut arriti të rinovojë kontratën dhe të mbajë në skuadër Nico Williams, projekti sportiv që kishte shkëlqyer në dy sezonet e fundit është përballur me një sërë vështirësish.

Rasti i rezultatit pozitiv dhe pezullimit të Yeray Alvarez, dëmtimet e shumta, paraqitjet e luhatshme dhe vonesa në transferimin e Aymeric Laporte i cili në fund u realizua me sukses kanë shoqëruar një periudhë të trazuar për klubin.

Sipas raportimit të medias spanjolle DEIA, emri i Athletic është përfshirë në listën e publikuar nga FIFA me klubet që nuk mund të regjistrojnë lojtarë të rinj për tre afate kalimtare deri në vitin 2028.

Megjithatë, burime pranë drejtuesve të klubit kanë qetësuar situatën, duke theksuar se bëhet fjalë për një mosmarrëveshje lidhur me të drejtat e formimit të një lojtari, një çështje e ngjashme me atë që kanë përjetuar më parë Rayo Vallecano dhe Mallorca.

Sipas të njëjtave burime, klubi është optimist se situata do të zgjidhet brenda orëve në vijim dhe se emri i Athletic Bilbaos do të hiqet nga lista e skuadrave të sanksionuara nga FIFA, duke shmangur kështu një ndalim që do të ndikonte ndjeshëm në zhvillimin e ekipit. /Telegrafi/

telegrafi sport app