Federata e Futbollit të Maqedonisë së Veriut ka marrë vendim drastik për të pezulluar stadiumin e Çairit pa afat të caktuar, pas incidentit që ndodhi në duelin e javës së 7-të mes Shkupit dhe Makedonija Gj.P. Krahas pezullimit, ndaj klubit shkupjan është hapur edhe procedurë disiplinore, e cila tashmë është dërguar për shqyrtim në Komisionin Disiplinor të FFM-së, njofton Telegrafi.

Ndeshja në Çair u shoqërua me tensione, pasi një pjesë e tifozëve vendas ndezën dhe hodhën flakadanë në fushë, por edhe drejt hapësirës ku ndodhej produksioni televiziv i Radiotelevizionit të Maqedonisë (RTM). Si pasojë, një pjesë e pajisjeve të transmetimit pësoi dëme serioze, ndërkohë që takimi po transmetohej drejtpërdrejt. Megjithëse delegati dhe shërbimet e FFM-së ndërhynë dhe paralajmëruan zyrtarët e Shkupit gjatë lojës, klubi nuk mori asnjë masë për të parandaluar dëme të tjera.


Radiotelevizioni i Maqedonisë i është drejtuar zyrtarisht FFM-së duke kërkuar kompensim për dëmet, ndërsa ka paralajmëruar se nuk do të transmetojë më ndeshje nga stadiumi i Çairit, deri në krijimin e kushteve të sigurta dhe profesionale për punë. Përveç dëmtimit të pajisjeve, tifozët e Shkupit dogjën edhe një baner të grupit mysafir “Llavovi”.

FFM thekson se incidentet në Çair nuk duhet të përsëriten dhe u bën thirrje të gjitha klubeve të marrin përgjegjësi maksimale për rendin dhe sigurinë, në mënyrë që futbolli të luhet në një atmosferë sportive dhe të qetë. /Telegrafi/

telegrafi sport app