Edicioni i 36-të i Festivalit folklorik “Hasi jehon” në Gjonaj të Prizrenit hapet të premten mbrëma, me një dedikim për 50-vjetorin e SHKA “Malësori”, që është edhe organizator i kësaj ngjarjeje tradicionale kulturore.

Sipas organizatorëve, tashmë janë bërë të gjitha përgatitjet e për mbarëvajtjen e festivalit, që do të realizohet me pjesëmarrjen e ansambleve folklorike nga të gjitha trevat shqiptare.


Drejtori i festivalit, Haziz Hodaj, ka bërë të ditur se shënimi i vitit jubilar të veprimtarisë së SHKA “Malësori” do të jetë në qendër të këtij edicioni.

“Sivjet kemi 50-vjetorin e ansamblit që është edhe organizator i festivalit. Nata e parë do ti kushtohet pikërisht këtij 50-vjetori me disa grupe mysafire, me të cilat kemi bashkëpunuar për vite të tëra”, ka thënë Hodaj, raporton Telegrafi.

Sipas tij, programi artistik do të vijojë më pastaj sikurse në vitet tjera me pjesën garuese, ku edhe juria do të vlerësoj më të mirët.

Duke qenë se festivali folklorik “Hasi Jehon” është listuar si aset i mbrojtur në kategorinë e trashëgimisë kulturore e shpirtërore, si  institucion unik i ruajtjes, prezantimit, bartjes dhe promovimit të vlerave të trashëgimisë kulturore shpirtërore të shqiptarëve, Hodaj ka përkujtuar se çdo paraqitje do të jetë autoktone në përputhje kriteret përkatësisht me rregulloren e veçantë të këtij festivali.

Në kuadër të festivalit do të ketë edhe aktivitete tjera përcjellëse në nderim të trashëgimisë pesë dekadëshe të SHKA “Malësori”.

Në të njëjtën kohë do të hapet edhe ekspozita personale e piktores së re, Tara Alija me pikturat e veshjeve tradicionale shqiptare që do të shiten në ankand bamirësie dhe mjetet e grumbulluara do të dhurohen për fëmijët e sëmurë nga kanceri në Klinikën e Onkologjisë në Prishtinë. /Telegrafi/