LAJMI I FUNDIT:

Fermerët shprehin interesim për ndjekjen e trajnimeve

Fermerët shprehin interesim për ndjekjen e trajnimeve

Kompania “Consult Engineering” në bashkëpunim me departamentin e Shërbimeve Këshillimore dhe Teknike të MBPZHR-se janë duke e zbatuar projektin “Zhvillimi i Zonave Rurale përmes avancimit të Shërbimeve Këshillimore”. Projekti po synon që përmes trajnimeve të cilat tash kanë filluar të organizohen në të gjitha fushat e bujqësisë, por, jo vetëm të ngrisin kapacitetet e fermerëve me njohuri dhe praktika të reja të prodhimit.

Lavdije Sopi, koordinatore e projektit “Zhvillimi i Zonave Rurale përmes avancimit të Shërbimeve Këshillimore”, tregon për portalin “Ferma Ime” se qëllimi kryesor i projektit është ofrimi i këshillave përmes trajnimeve që organizohen kryesisht në bazë të kërkesave dhe nevojave të fermerëve. Po ashtu siç tregon Sopi, po aplikohet edhe modeli i trajnimeve “Fermeri për Fermerët” si një mundësi që fermerët të ndajnë mes tyre përvojat, praktikat e mira dhe shqetësimet që ata kanë lidhur me fushën e bujqësisë.


“Qëllimi i trajnimeve është që fermerët përmes trajnimeve të marrin njohuri të reja nga ekspertët e fushave përkatëse, por edhe nga njeri-tjetri për menaxhimin e suksesshëm dhe për rritjen e të ardhurave në fermat e tyre, për zgjidhjen e problemeve të ndryshme që ndërlidhen me prodhimin, për çështjet ekonomike dhe organizative të fermave dhe për shumë çështje të tjera që ndërlidhen me punët e tyre në bujqësi”, tregon koordinatorja e projektit Sopi.

Sopi tregon se në kuadër të këtij projekti tashmë është realizuar një vizitë studimore në Kroaci, ku këshilltarët komunal nga Kosova kanë shkëmbyer përvojat me këshilltaret nga shteti Kroat. Koordinatorja Sopi me tej shton se në kuadër të projektit vazhdimisht po botohen materiale me karakter informues dhe vetëdijesues sipas kërkesave të fermerëve dhe sugjerimeve nga ekspertët.

Siç tregon Sopi,trajnimet organizohen çdo ditë në komuna të ndryshme. Sipas saj, deri me tani në kuadër të projektit trajnimet i kanë ndjekur afër 4000 fermer. Ndërsa, vlen të theksohet se si ekspert në 90 për qind të rasteve janë të angazhuar profesor të Fakultetit të Bujqësisë dhe Veterinarisë.

“Në dhënien e këshillave po angazhojmë ekspertë të sektorëve të ndryshëm. Gjatë këtij viti në bazë të kërkesave nga fermerët, planit për zhvillim rural të MBPZHR-ës si dhe në Strategjinë e Shërbimeve Këshillimore, në bashkëpunim të ngushtë me Ministrinë e Bujqësisë dhe Komunat, janë dhënë këshilla nga sektor të ndryshëm si: prodhimtari blegtorale, pemëtari dhe vreshtari, perimekulturë me lavërtari, mbrojtje e bimëve, ujitje, agropërpunim, bletari, mbrojtje të ambientit, dhe punët e rrezikshme për te rinjtë nën moshën 18 vjeçare”. thekson Sopi.

Koordinatorja e projektit shprehet mjaft e kënaqur me interesimin e fermerëve për ndjekjen e trajnimeve dhe tregon se ky model i trajnimeve do te zbatohet deri në përfundim të vitit 2016./FermaIme/Telegrafi/