LAJMI I FUNDIT:

Fermerët llapjanë rrisin numrin e lopëve qumështore

Fermerët llapjanë rrisin numrin e lopëve qumështore

Drejtori i Bujqësisë Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural (DBPZHR) Vezir Januzi ka vizituar fermat me lopë qumështore në fshatin Majac.

Në Komunën e Podujevës vazhdimisht është duke u shtuar numri i fermerëve që janë të orientuar në prodhimin e qumështit, duke ngritur kapacitetet e lopëve qumështore në stallat e tyre.


Drejtori i Bujqësisë Vezir Januzi, ka vizituar fermat me lopë qumështore të dy fermerëve të suksesshëm në fshatin Majac, të cilët këto ditë kanë shtuar numrin e krerëve të lopëve në stallat e tyre.

Gjatë takimit me fermerët Bekim Arifi, i cili posedon 70 krerë lopë të racës Holstein dhe Flutura Nazifin, e cila posedon 31 lopë të racës Simental dhe 40 Holstein, drejtori Januzi u zotua për vazhdimin e mbështetjes për fermerët llapjanë.

“Komuna e Podujevës në vazhdimësi do të krijojë kushte sa më të mira për fermerët e vyer llapjan. Shembulli i suksesit tuaj duhet të jetë model edhe për fermerët tjerë. Ndërsa DBPZHR do të vazhdojë që përmes subvencioneve t’u ndihmojë fermerëve llapjanë”, tha Januzi.

Fermerët e vlerësuan mbështetjen të cilën e kanë marrë nga Komuna përmes subvencioneve.

Drejtoria për Bujqësi Pylltari dhe Zhvillim Rural e Komunës së Podujevës, para pak ditësh ka subvencionuar me nga 1,000 kg ushqim të koncentruar për 100 fermerë llapjanë. /Telegrafi/