Kryetari i Istogut, Ilir Ferati ka njoftuar se kanë lokalizuar zjarret që kishin përfshirë disa fshatra.

Ferati thotë se tashmë situata është nën kontroll, transmeton Telegrafi.


"Bashkë ja dolëm! Zjarret që përfshinë dje disa fshatra të komunës sonë janë lokalizuar dhe neutralizuar, falë një bashkëpunimi të ngushtë mes të gjitha institucioneve dhe qytetarëve tanë. Në terren ishim bashkë të angazhuar me ekipet emergjente të zjarrfikësve, Policinë e Kosovës, KFOR-in, KRM “Ambienti”, Hidrodrinin, bizneset private si dhe shumë qytetarë vullnetarë që ndihmuan me mjete rrethanore dhe me angazhimin e tyre maksimal", ka njoftuar Ferati.

Ai ka shtuar tutje se ky  mobilizim i përbashkët dëshmon edhe një herë fuqinë e solidaritetit dhe përgjegjësisë që kemi për të mbrojtur mjedisin, pronat dhe jetën e secilit qytetar.

"Falënderim për të gjithë ata që u angazhuan pa kursyer mundin dhe kohën! Apelojmë që edhe në ditët në vijim të tregojmë kujdes të shtuar, të mos ndizet zjarri në fusha apo hapësira të hapura dhe çdo rast i dyshimtë të raportohet menjëherë", ka shtuar ai.

Ferati ka pohuar se për këtë qëllim, Komisioni Komunal për mbrojtje nga zjarret do të dalë në terren për të vlerësuar gjendjen, për të identifikuar zonat më të rrezikuara dhe për të marrë masa shtesë mbrojtëse. /Telegrafi/