"Faturat e fryera të rrymës" në veri, kompania "Elektroserver" thuhet se nuk është transparente

Çështja e faturave të rrymës në veri të Mitrovicës vazhdon të jetë ende aktuale.
Tashmë ato që po cilësohen “fatura të fryera” po paraqesin mjaft shqetësim për qytetarët e asaj zonë sepse të njëjtat sipas tyre, janë të larta dhe nuk janë financiarisht të përballueshme për ta, shkruan Telegrafi.
Kjo temë u diskutua dje gjatë seancës së 41-të të rregullt të Kuvendit Komunal të Mitrovicës së Veriut.
Asamblistët e këtij kuvendi komunal kanë vlerësuar që institucionet qendrore të interesohen më shumë për këtë çështje dhe t’iu sigurojnë qytetarëve energji elektrike me një kosto më të ulët.
Asamblisti, Betim Osmani u shpreh se nuk është normale çmimi i energjisë elektrike në veri.
“Nuk është normale, nuk është në rregull, një qytetari i kishte ardhur faktura dy mijë e 500 euro. Edhe nëse e ka një pagë, si do t’i paguash dy mijë e 500 euro. Ka shumë probleme që vetëm institucionet qendrore do të kishin mundur të marrin masa”, ka thënë Osmani.
Kryesuesi i Kuvendit Komunal të Mitrovicës Veriore, Nexhat Ugljanin u shpreh se kompania "Elektroserver" nuk është “transparente” sepse sipas tij, asnjë përfaqësues i tyre nuk tregon nëse po paguhet më shtrenjtë energjia elektrike në veri.
“Askush s’po del me i tregu popullit a u shtrenjtu rryma edhe në pjesën veriore me atë 15-përqindëshin apo jo. Kjo është jotransparencë nga kompania ‘Elektrosever’”, ka thënë Ugljanin.

Ugljanin është shprehur se marrëveshjes që qytetarët si fillim të paguajnë 21 euro paushall nuk I’u ka përmbajtur kompania në fjalë.
“Ne marrëveshjen që e kemi pasë me ‘Elektrosever’ atëherë s’na kanë thënë as sa harxhoni, as 1 mijë euro e as 2 mijë euro, veç ka qenë që katër-pesë muaj do të jetë 21 euro. Këta nuk iu kanë përmbajtë asaj marrëveshjeje hiç. Ata kurrgjë nuk kanë kry, kurrfarë transparence s’ka pasë, veç janë dëmtu qytetarët e ende dëmtohen”, ka shtuar ai
Zëvendëskryesuesi i Kuvendit Komunal në Mitrovicë të Veriut, Skender Sadiku ka kërkuar bashkëpunim me Zyrën e Rregullatorit për Energji (ZRRE), me kompaninë “Elektrosever” dhe me institucionet qendrore në mënyrë që qytetarët të informohen për këto paqartësi.
“Ka ardhur koha kur Asambleja Komunale duhet të mbajë një mbledhje të jashtëzakonshme me qytetarë, me përfaqësues të ‘Elektrosever’, me përfaqësues të Policisë së Kosovës por edhe me përfaqësues të nivelit më lartë sikur ZRRE, komplet ata që jemi të involvuar për pjesën e rrymës”, ka thënë Sadiku.
Kujtojmë që faturimi në këtë pjesë ka filluar në shkurt të vitit 2024, por pjesa më e madhe e qytetarëve vazhdojnë të mos e paguajnë. /Telegrafi/

















































