LAJMI I FUNDIT:

Fatos Bytyçi: Vuçiqi dhe Daçiqi e dinë se kush i vrau vëllezërit e mi

Fatos Bytyçi: Vuçiqi dhe Daçiqi e dinë se kush i vrau vëllezërit e mi

Është vëllai Agronit, Ilirit dhe Mehmetit që ishin vrarë më 1999. Ata jetonin në New York, ndërkaq në periudhën 1998-99 kishin vendosur t’u bashkohen njësiteve UÇK-së në luftën kundër forcave serbe. Trupat e tyre u gjetën në qershor të vitit 2001, së bashku me trupat e pajetë të më se 70 shqiptarëve të Kosovës, në varrezën masive në Petrovo Sello në Serbi.

Në një bisedë për Radion Evropa e Lirë, Fatos Bytyçi thotë se nuk do të tërhiqet derisa të dalin para drejtësisë autorët që ekzekutuan vëllezërit e tij. Ai beson se Qeveria e Serbisë e di se kush janë vrasësit e vëllezërve, se ka argumente dhe dëshmitarë të mjaftueshëm të cilët duan të dëshmojnë për këtë rast. Madje, edhe pse këta dëshmitarë nuk ndodhen në Serbi, ata, sipas tij, marrin kërcënime se nëse dëshmojnë, familjet e tyre në Serbi do të likuidohen.


“Unë jam takuar me kryeministrin Vuçiç më 2013, 2014 dhe 2015 në Washington. Problemi është se të gjithë kriminelët e luftës, që janë përfshirë në këtë apo edhe rastet tjera të krimeve, tani në Serbi janë biznesmenët më të mëdhenj dhe njëherësh edhe kriminelët më të mëdhenj”, thotë Bytyçi. “Ka dëshmitarë të këtij krimi të cilët e dinë se kush urdhëroi vrasjen e vëllezërve të mi. Të gjitha faktet i kanë, por nuk kanë dashur t’ia dorëzojnë drejtësisë”.

Ai thotë se ua ka dorëzuar dokumentet dhe argumentet që posedon zyrtarëve të lartë shtetërorë të Serbisë, Ivica Daçiqit dhe Aleksandar Vuçiqit. Përmes këtyre fakteve, Bytyçi shprehet se ishte komandanti i Xhandarmërisë serbe, Goran Radosavleviq, ai që urdhëroi vrasjen e vëllezërve të tij.

“Dëshmitarët nuk thonë përmes telefonit se ai po i kërcënon, sepse u përgjohen telefonat”, thekson tutje Bytyçi. “Në Serbi nuk ka program për mbrojtjen e dëshmitarëve dhe kjo paraqet problem të madh. Radosavleviq është çelësi për zgjidhjen e rastit Bytyçi, ngase ai ka urdhëruar vrasjen”, është shprehur ai.

Fatos Bytyçi shprehet i vendosur që ta vazhdojë rastin deri në vënien para drejtësisë të atyre që urdhëruar vrasjen.

Zbardhja e rastit të vrasjes së vëllezërve Bytyçi, me shtetësi amerikane, është ngritur lartë në politikën amerikane, e cila i ka kumtuar edhe qeverisë së Serbisë se ky rast reflekton drejtpërdrejtë në marrëdhëniet midis dy shteteve. /REL/