Ndërmarrja publike Trainkos Sh.A. ka njoftuar sot se faqja e saj zyrtare është bërë shënjestër e sulmeve të njëpasnjëshme kibernetike nga jashtë, duke shkaktuar probleme në funksionimin normal të sistemit online.

Në një njoftim zyrtar, kompania bëri të ditur se ekipi i saj i IT-së është duke punuar me intensitet të shtuar për ta rikthyer faqen sa më shpejt dhe për të garantuar sigurinë e të dhënave dhe të shërbimeve që ofrohen për qytetarët.


“Ju kërkojmë mirëkuptimin tuaj dhe ju sigurojmë se jemi duke ndërmarrë të gjitha masat e nevojshme për të adresuar situatën”, thuhet në deklaratën e Trainkos.

Nuk janë dhënë detaje shtesë rreth burimit të sulmeve apo ndikimit konkret që ka pasur incidenti në sistemet dhe të dhënat e përdoruesve.

Kompania ka premtuar se do të informojë publikun me të gjitha zhvillimet e reja sa i përket kësaj çështjeje./Telegrafi/