LAJMI I FUNDIT:

Falja e 100 eurove nga Tatimi në Pronë, komunat kërkojnë që Qeveria të bëjë rimbursimin e këtyre mjeteve

Falja e 100 eurove nga Tatimi në Pronë, komunat kërkojnë që Qeveria të bëjë rimbursimin e këtyre mjeteve

Asociacioni i Komunave të Kosovës, ka kërkuar që Qeveria të bëjë rimbursimin e mjeteve nga falja e 100 eurove për Tatimin në Pronë.

Kështu ka bërë të ditur AKK në një njoftim për media.


“Siç dihet tashmë në Komisionin Parlamentar për Buxhet dhe Financa të Kuvendit të Kosovës ka kaluar Projekt Ligji për plotësim ndryshimin e Tatimit në Pronë me anë të së cilit është propozuar edhe falja e 100 eurove të para nga tatimi në pronë i qytetarëve të Republikës së Kosovës.

Poashtu ju informojmë se as si Komuna e as si Asociacion i Komunave të Kosovës nuk jemi konsultuar për këtë propozim dhe as për ndikimet që do ti ketë ky Ligj në buxhetet komunale dhe realizimin e projekteve të tyre kapitale”, thuhet në njoftim.

​Komisioni për Buxhet miraton Projektligjin për faljen e 100 eurove të Tatimit në Pronë
Lexo po ashtu ​Komisioni për Buxhet miraton Projektligjin për faljen e 100 eurove të Tatimit në Pronë

AKK ka shtuar se edhe me këtë rast, nuk janë marrë fare parasysh specifikat e Komunave e ku kjo do të afektoj sidomos komunat e vogla kur të hyrë kryesore kanë të hyrat vetanake nga tatimi në pronë.

Komunat shtojnë se me këtë projektligj, niveli qendror tash do t’i detyrojë komunat të marrin vendime për faljen e 100 eurove të para e sidomos tashmë pasi janë shpërndarë faturat e tatimit në pronë dhe në anën tjetër janë aprovuar buxhetet komunale me projeksionin e të hyrave pa falje dhe mbi bazën e këtij projeksioni buxhetor është paraparë edhe realizimi i projekteve kapitale.

“Nga analizat tona mund të konkludohet se nga një veprim i tillë komunat mund t’i kenë për 40% më të ulta të hyrat vetanake për vitin 2023 sesa është paraparë nga projeksionet buxhetore. Bordi i Asociacionit të Komunave të Kosovës kërkon nga ju që me Projektligjin për Tatimin në pronë, krahas faljes se 100 eurove të vendoset që rimbursimin e kësaj shume ta mbuloj niveli qendror në mënyrë që të mos varfërohen Komunat e Kosovës dhe të mos ketë ndikimin në realizimin e projekteve kapitale të parapara me buxhetet komunale të këtij viti”, thuhet në njoftim.

AKK ka theksuar se janë në në dispozicionin të Qeverisë që të debatojnë këto çështje dhe propozimin e tyre si pushtet lokal që do të zbatoj këtë akt ligjor dhe do të ndikohet nga efektet e tij.

“Të nderuar anëtar të Kryesisë së Kuvendit, shpresojmë që kjo do të jetë hera e fundit që komunat nuk konsultohen për ligje të cilat kanë një impakt të drejtpërdrejtë në funksionimin e pushtetit lokal në Republikën e Kosovës”, thuhet mes tjerash në njoftim. /Telegrafi/