Dikur krenaria e Drenicës dhe një nga fabrikat më të mëdha të rajonit për prodhimin e municionit sportiv, sot Fabrika e Municionit në Skenderaj është shndërruar në një rrënojë të heshtur.

Rruga që dikur çonte drejt zyrave, punës dhe ëndrrave të mbi 300 punëtorëve, sot të përball me pluhur, gëzhoja të ndryshkura dhe kujtime të hidhura. Pas luftës, ky gjigant industrial nuk u shua nga koha, por nga duart tona, siç thonë ish-punëtorët.


Mes tyre është edhe Isa Hajdini, ish-inxhinieri kryesor i fabrikës, i cili e kujton me mall dhe dhimbje:
“Mjerim, çka me thanë…”

Në kohën e saj më të mirë, fabrika punonte me tri ndërrime dhe kishte kapacitet prodhimi prej 60 mijë fishekësh në ditë dhe mbi 55 milionë në vit. Ajo lidhi kontrata milionëshe me kompani ndërkombëtare, përfshirë një marrëveshje për 35 milion fishekë me kompaninë amerikane “Tudosport”.

Pas 34 vitesh, mes rrënojave është kthyer edhe Qazim Durmishi, dikur pjesë e fabrikës, i cili i tronditur thotë vetëm: “Tmerr…”

Në fund të viteve ’80, pushteti serb tentoi ta mbyllte fabrikën, por nuk arriti. Makineritë e saj, me disa modifikime të vogla, mund të prodhonin edhe municion ushtarak. Fabrika shtrihej në 18 hektarë, me objekte moderne për kohën, përfshirë dhomën balistike unike në Kosovë, ku testoheshin fishekët. Sot, edhe ajo është vetëm një gërmadhë.

Kjo perlë e dikurshme e industrisë, ku punoi edhe Hamëz Jashari, sot administrohet nga Agjencia Kosovare e Privatizimit (AKP). Por ashtu si shumë fabrika të tjera të Kosovës, fati i saj mbetet i paqartë.