Evropa është në një pikë kthese: Elitat e ndrojtura të BE-së duhet të marrin mësime nga "Leopardi"

Nga: Joseph de Weck, bashkëpunëtor në Institutin për Kërkime të Politikës së Jashtme / The Guardian
Përkthimi: Telegrafi.com
Sapo kemi kaluar çerekun e këtij shekulli, Evropa duket të jetë në një pikë kthese. Për dekada me radhë, pjesa e saj në PBB-në globale ka qenë në rënie dhe ndikimi i saj gjeopolitik është gërryer. Në një moment të caktuar, rënia relative mund të kthehet në rënie absolute. Ky moment mund të jetë duke u afruar.
ShBA-ja, Rusia dhe Kina janë haptazi të angazhuara në një “përleshje për Evropën”. Moska kërkon të rikthejë hegjemoninë në Lindje. Pekini dëshiron industrinë e Evropës; Uashingtoni kërkon bindje - dhe Grenlandën. Gjermanët janë të shqetësuar për të ardhmen. Franca e çorientuar nuk mund të rregullojë buxhetin e vet. I dëshpëruar për rritje, Brukseli po çmonton legjislacionin për klimën që kishte miratuar vetëm disa vite më parë, ndërsa bën gjithçka për t’ia bërë qejfin Donald Trumpit. Kanë mbetur pak gjëra nga dinjiteti evropian - një ndjenjë deklasimi ka filluar të mbizotërojë.
Ndoshta kjo është arsyeja pse përshtatja e fundit në Netflix e kryeveprës së vitit 1958 nga Giuseppe Tomasi di Lampedusa, Leopardi [Il Gattopardo], po ka jehonë te publiku në gjithë kontinentin. Romani epik i Lampedusas përshkruan rënien e një familjeje aristokrate siciliane në shekullin XIX - dhe, kryesorja, mendësinë e elitave që ndiejnë se bota e tyre po merr fund, por janë të gatshëm të bëjnë kompromise dhe do të bëjnë pothuajse gjithçka për të zgjatur pushtetin e tyre edhe pak.
Klasa politike e Evropës, e pezulluar mes dhimbjes dhe vetëkënaqësisë, ka filluar të ngjasojë me atë aristokraci dhe është dorëzuar ndaj një strategjie të rënies së menaxhuar. Megjithatë, “përderisa ka vdekje, ka shpresë”, shkruan Lampedusa, Evropa nuk është patjetër e humbur - nëse udhëheqësit e saj nxjerrin mësimet e duhura nga Leopardi.
Ta lexosh Leopardin është kënaqësi; ta shohësh përshtatjen e Luchino Viscontit nga viti 1963 është domosdoshmëri; të ndalesh te seria e Netflix-it me ritëm të ngadaltë është kohë e kaluar mirë. Për lexuesin e ngarkuar, ja përmbledhja: ngjarja e vendosur gjatë bashkimit italian, Leopardi ndjek princin e Salinës, një aristokrat sicilian në moshë të shtyrë që jeton rehat nga pronat e tij të mëdha. Por, rreth tij bota po ndryshon. Fshatarët synojnë të bëhen më shumë sesa punëtorë në tokat e princit. Pushteti aristokratik po i lë vend borgjezisë me kunja.
Me mendje të kthjellët, princi e kupton mirë se mënyra e tij e jetesës po vdes. Pasuria dhe privilegjet e tij po veniten. “Gjithçka duhet të ndryshojë që gjithçka të mbetet njësoj”, deklaron në mënyrë të famshme nipi i princit, Tankredi, duke e nxitur xhaxhain e tij të rreshtohet me rendin e ri ekonomik dhe politik. Por, nëse qëndrimi në majë kërkon të heqësh dorë nga vlerat dhe traditat, a është kjo vërtet fitore?
Princi krenar tërhiqet nga dinjiteti i rezistencës, por nuk mund të shpëtojë nga logjika e dorëzimit pragmatik në shpresën për të vonuar rënien e familjes së tij. Duke lexuar Leopardin sot, është e vështirë të mos shohësh Evropën në princin melankolik të Salinës.
Si princi, shumë evropianë kanë pasur jetë relativisht të begatshme. Dhe, si aristokratët e një epoke të kaluar, shumica e evropianëve janë të bindur për superioritetin e modelit të tyre - një rend demokratik, një kapitalizëm i zbutur, një kulturë e rafinuar - duke injoruar faktin se kjo pasuri mbështetet gjithashtu në shfrytëzimin e të tjerëve.
Evropianët gjithashtu ndiejnë se historia po lëviz kundër tyre. Në vend, politika është bërë garë e nostalgjive. E djathta populiste ëndërron një të kaluar të imagjinuar nacionaliste, ndërsa qendra politike evropiane sillet si vetë princi i Salinës - duke u përpjekur ta zgjasë të tashmen përmes një përshtatjeje taktike: më shumë borxh këtu, shkurtime të mirëqenies atje, çrregullim dhe, mbi të gjitha, dorëzim ndaj mbretit Trump i cili tallet me udhëheqësit e BE-së në rrjetet sociale dhe i fyen haptazi ata si “të dobët”.
Sigurisht, kjo politikë mes përmes ngatërresave ka virtytet e veta. Rënia e menaxhuar është më e mirë sesa arroganca që ndiqet nga kolapsi. Por, ka një alternativë si ndaj mohimit ashtu edhe ndaj nënshtrimit.
Pyetja thelbësore pas aforizmës së Tankredit është kjo: nëse përshtatesh që “gjithçka të mbetet njësoj”, çfarë po përpiqesh realisht të ruash?
Princi nuk ka një përgjigje bindëse. Ai përpiqet të ruajë një rend nga i cili përfiton vetëm ai. Evropianët, për dallim, kanë plot aleatë - nëse zgjedhin të mbrojnë parimet si demokracia, sundimi i ligjit, aparati shtetëror nga i cili nuk kemi pse të frikësohemi dhe parimi i sovranitetit territorial. Siç pamë javën e kaluar, dha rezultat rezistenca përballë Trumpit për tarifat me të cilat ai kërcënoi mbi Grenlandën. E bashkuar, Evropa nuk është aspak e dobët.
Dhe, Evropa mund ta ruajë këtë ndjenjë qëllimi nëse përqendrohet tek ambicia për të ndërtuar një ekonomi që është si e suksesshme ashtu edhe që u lejon njerëzve të kenë jetë me kuptim. Nuk është dekadencë të përpiqesh të përparosh një rend që thekson nevojat njerëzore mbi interesat e kapitalit. Ndryshe nga bota e princit, mënyra evropiane e jetesës nuk është e dënuar - jo sepse, së paku, evropianët nuk duan të shohin kontinentin të bëhet ajo që është Sicilia për Italinë te Leopardi: një periferi e sunduar nga të tjerët.
Evropianët ende po shfaqin shenja rezistence: verën e kaluar, tregojnë sondazhet, 76 përqind e qytetarëve evropianë refuzuan marrëveshjen poshtëruese tregtare me Trumpin, ndërsa 81% duan që BE-ja të ndërtojë një politikë të përbashkët të mbrojtjes dhe sigurisë. Me 74 përqind, miratimi ndaj BE-së nuk ka qenë kurrë më i lartë. Dhe, ndërsa lufta e Rusisë hyn në vitin e pestë, opinioni publik evropian ka mbetur i përkushtuar ndaj Ukrainës.
Po, Evropa do të duhet të ndryshojë thellësisht nëse dëshiron të mbrojë atë që ka vërtet rëndësi. Ruajtja e aftësisë së Evropës për të zgjedhur të ardhmen e vet kërkon një BE më të fortë, më demokratike. Në Davos, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen, bëri thirrje për të lënë pas “nostalgjinë” në emër të ndërtimit të një Evrope të re të pavarur. Çdo poshtërim nga Trumpi, Xi Jinping dhe Vladimir Putini i bën evropianët më të gatshëm për këtë qëndrim.
Pra, pyetja e vërtetë është nëse udhëheqësit tanë janë gati të nxisin ndryshimin apo thjesht ta përballojnë atë në mënyrë pasive. Apo nëse, si princi, ata tërhiqen nga lufta, duke shpresuar vetëm të gjejnë rehati deri në fundin e tyre. Fundja, kjo është shprehja më aristokratike dhe më e papërgjegjshme nga të gjitha: après moi, le déluge [pas meje, përmbytja]. /Telegrafi/



















































