LAJMI I FUNDIT:

Evropa duhet të kopjojë ShBA-në në ushtrimin e fuqisë së saj të butë

Evropa duhet të kopjojë ShBA-në në ushtrimin e fuqisë së saj të butë

Menjëherë pas fundit të Luftës së Parë Botërore, Shtetet e Bashkuara filluan një operacion të ri masiv: bursa akademike për studentë të huaj që do të vinin dhe studionin në Shtetet e Bashkuara. Amerika sapo e kishte fituar luftën. Ajo ishte një superfuqi e re krenare dhe e etur për ta vendosur për herë të parë veten në hartën globale.

Ideja pas dhënies së atyre bursave ishte përhapja e këtij mesazhi dhe informimi i botës mbi një vend për të cilin shumë njerëz deri në atë kohë dinin ende shumë pak. E, çfarë mënyre tjetër mund të jetë më e mirë sesa të ftosh mendjet më të ndritura të botës të vijnë dhe të studiojnë në universitetet amerikane, duke iu dhënë atyre një arsimim të nivelit botëror dhe duke i mësuar ata me mënyrën e jetës, ideve dhe vlerave amerikane?


Ka ardhur koha që këtë shembull ta ndjekë edhe Bashkimi Evropian. Ai duhet të hartojë një program ambicioz dhe bujar, që studentët e huaj të studiojnë në universitetet evropiane dhe ta përdorë atë si një mjet të fuqisë së butë.

Ky program duhet të nisë të zbatohet menjëherë, si një kundërpërgjigje e drejtpërdrejtë evropiane ndaj rrëmbimit të një avioni me pasagjerë muajin e kaluar nga presidenti bjellorus Alexander Lukashenko, me synim arrestimin e gazetarit opozitar Roman Protasevich.

Evropa duhet të ftojë mijëra të rinj bjellorusë që të vijnë të studiojnë dhe të bëjnë kërkime në universitetet e gjithë Evropës. Ashtu si Amerika 100 vjet më parë, Evropa dëshiron që ta vendosë veten në hartë si një aktore gjeopolitike.

Por, në një botë që po ndryshon me shpejtësi, dhe në kushtet kur prioritetet e ShBA-së janë duke u zhvendosur nga Evropa në Azi, evropianët janë të zënë me diskutimin e koncepteve të reja teorike të tilla, sikurse është ajo e “autonomisë strategjike”.

Ata e kuptojnë shumë mirë se tashmë duhet të mësojnë të mbështeten tek forcat e veta dhe më pak në mbrojtjen që ofron ShBA-ja. Shumë prej këtyre diskutimeve përfshijnë fuqinë e fortë, me një fokus kryesore tek siguria evropiane, dhe nismat e përbashkëta në fushën e mbrojtjes.

Por, në një kontinent që është bërë shumë pacifist përgjatë dekadave të fundit, dhe ku politika e jashtme evropiane mbetet e gjymtuar nga rregullat e unanimitetit, fuqia e fortë do të ketë gjithmonë kufizimet e saj. Evropa duhet të përdorë shumë më mirë mjetet e fuqisë së butë që i ka tashmë në dispozicion, qoftë edhe vetëm për shkak të rrezikshmërisë më të ulët të tyre.

Fatmirësisht, tashmë ekzistojnë shumë mjete të fuqisë së butë, përfshirë shoqatat akademike. Por, problemi është se ato nuk pop përdoren fare. Në rastin e Bjellorusisë, një program miqësie i mbështetur tek grantet, mund të jetë gjesti politik që po kërkojnë kaq shumë evropianë, pasi e ndëshkon regjimin përmes ndihmës ndaj qytetarëve të tij.

Kjo do të ishte e krahasueshme me përgjigjen e shkëlqyer të Britanisë ndaj uzurpimit de facto nga Kina të autonomisë së Hong-Kongut vitin e kaluar. Londra i ofroi dhjetëra mijëra qytetarëve të Hong Kongut mundësinë për të marrë leje qëndrimi në Mbretërinë e Bashkuar. Rreth 35 mijë njerëz, kanë aplikuar tashmë që nga janari i këtij viti.

Por, sondazhet tregojnë se evropianët janë shumë skeptikë mbi fuqinë evropiane. Ata e shohin BE-në si tepër të ngadaltë, të dobët dhe shumë komplekse. E, kur pyeten se çfarë duhet të jetë BE-ja, hidhërimi i tyre është edhe më i madh. Siç e tregoi një sondazh i fundit nga Këshilli Evropian për Marrëdhëniet me Jashtë, ata janë shumë të qartë në këtë aspekt: ”Evropa duhet të jetë një pishtare e demokracisë dhe të drejtave të njeriut, dhe që t’i japë përparësi sundimit të ligjit dhe standardeve të larta demokratike”.

Ashtu si shumë amerikanë 100 vjet më parë, shumë evropianë mendojnë se kanë një mision në një botë plot trazira, dhe duan që të jenë krenare për të. E pse të mos e kthejmë këtë ndjenjë në një mjet të madh të politikës së jashtme, duke e ndarë atë me pjesën tjetër të botës, dhe duke e filluar me një ftesë për mijëra studentë të rinj bjellorusë, që të vijnë të studiojnë në BE, së bashku me akademikët bjellorusë, të cilët duhet të bëhen pjesë e programeve evropiane të kërkimit shkencor?

Në vitet 1980, Joseph Nye shpiku i pari termin “fuqi e butë”, që nënkupton aftësinë e një vendi për t’i bindur të tjerët të bëjnë atë që ai dëshiron, pa imponim ose forcë. Në librin e tij të vitit 2004, “Fuqia e butë: Mjeti për të pasur sukses në politikën botërore”, ai llogarit se vetëm midis viteve 1945-2000, 700 mijë njerëz nga e gjithë bota kishin studiuar në Shtetet e Bashkuara falë bursave të akorduara nga qeveria dhe institucionet e tjera amerikane.

Disa bursa organizohen nga institucione publike, siç është Programi Fulbright. Por, shumica janë nisma private. Që nga Lufta e Parë Botërore, qeveritë amerikane e kanë inkurajuar në mënyrë aktive sektorin privat dhe organizatat bamirëse si “Rockefeller Foundation”, që t’i përdorin bursat për të promovuar interesat amerikane jashtë vendit.

Ata i ftojnë studentët të studiojnë dhe akademikët të japin mësim, të bëjnë specializime apo të marrin pjesë në programe prestigjioze të kërkimit. Siç shkruan historiani francez Ludovic Tournès në librin e tij të fundit, “Amerikanizimi, një histori botërore”, shumica e programeve të bursave amerikane janë të gjata (zgjasin për disa vjet) dhe shumë bujare.

Bursat amerikane filluan në një kohë kur vendet evropiane ishin shkatërruar. Franca, Gjermania dhe Mbretëria e Bashkuar kishin programe të ngjashme para Luftës së Parë Botërore. Por atyre iu desh t’i ndërpresin më pas për mungesë fondesh dhe të stafit mësimdhënës.

Për më tepër, krijimi i shumë vendeve të reja në Evropë, dhe rritja e nacionalizmit çuan në krijimin e kufijve të rinj, që i vështirësuan udhëtimet ndërkufitare. Në atë moment, ndërhynë Shtetet e Bashkuara, duke u bërë shumë shpejt edhe një fuqi në botën akademike.

Ajo nënshkroi programe të shkëmbimit akademik me Francën (1921), Çekosllovakinë (1922), Gjermaninë (1924), Hungarinë (1925) etj. Shumë shpejt, Shtetet e Bashkuara u bënë një destinacion kryesor për studentët evropianë, si dhe të Azisë dhe Amerikës Latine. Fakti që shumë anëtarë të elitës së Evropës Lindore flasin anglisht me një theks amerikan, nuk është një rastësi.

Një nga sukseset më të mëdha të integrimit evropian është programi i shkëmbimit akademik Erasmus, që u jep mundësi studentëve dhe profesionistëve të studiojnë dhe praktikojnë dijet e tyre në një vend tjetër evropian për 6 muaj. Është një program i madh, popullor, dhe relativisht i lirë. Çdo vit, lejohen të marrin pjesë edhe studentë nga vendet e treta fqinje, si Bjellorusia.

Përveç kësaj, universitetet e Varshavës dhe Vilniusit, i ftojnë rregullisht bjellorusët që të shkojnë dhe studiojnë. Javët e fundit ka pasur disa thirrje për t’i zgjeruar këto programe.

Nëse Evropa dëshiron të ndëshkojë regjimin në Bjellorusi, pa dëmtuar qytetarët e saj, ajo duhet të ndërtojë një program evropian masiv dhe më bujar, duke u ofruar qytetarëve bjellorus bursa të plota në universitetet më të mira të Evropës. /Burimi: “Foreign Policy”/Në shqip nga: Bota.al/