Një moment tensioni u shënua në episodin e kësaj të premteje të emisionit Goca dhe Gra, ku e ftuar ishte ish-deputetja Monika Kryemadhi.

Ajo ishte në studio për të folur rreth premierës së filmit Me Fat, në të cilin është pjesë edhe vetë. Megjithatë, gjatë bisedës u zhvillua një debat i drejtpërdrejtë me aktoren e njohur Ema Andrea.


Diskutimi nisi pasi Andrea u shpreh se artistët nuk duhet të konsiderohen si “kacidhe” nga politikanët dhe se arti meriton më shumë respekt nga politika. Në një moment, aktorja ngriti edhe kritika të forta ndaj politikanëve, duke i akuzuar se nuk po e kryejnë si duhet punën e tyre në parlament dhe se nuk votojnë ligje në të mirë të qytetarëve.

“Pse duhet të ngrihem unë për çdo gjë? Prisni more se ju kemi paguar, ju kemi paguar t’i votoni ato m*t ligje, që nuk i bëtë kurrë”, u shpreh ajo me tone të larta, duke bërë që debati në studio të përshkallëzohej.

Deklarata e saj u prit me duartrokitje nga publiku në studio, ndërsa Kryemadhi reagoi duke i kërkuar aktores që të qetësohej. Ish-deputetja theksoi se situata në politikë shpesh është më e ndërlikuar sesa duket nga jashtë.

Momenti krijoi një atmosferë të nxehtë në studio, duke e kthyer bisedën për filmin në një debat të hapur mes artit dhe politikës. /Telegrafi/

- YouTube youtu.be