LAJMI I FUNDIT:

Erdogani i Madhërishëm

Erdogani i Madhërishëm

Sinan Ulgen

Presidenti turk Recep Tayyip Erdogan tani ka përmbushur objektivin e tij të fundit politik për të qenë presidenti i parë ekzekutiv i zgjedhur ndonjëherë nga populli, duke marrë pothuajse 53 për qind të votave kombëtare në zgjedhjet e së dielës. Një vit më parë, Erdogani miratoi ndryshimet kushtetuese për të transformuar demokracinë parlamentare të Turqisë në një sistem shumë të centralizuar presidencial. Tani këto ndryshime do të hyjnë plotësisht në fuqi.


Ndryshimet kushtetuese i japin Erdoganit pushtet të ri për të emëruar zëvendëspresidentë, ministra dhe zyrtarë të lartë. Ato gjithashtu e lejojnë atë të shpërndajë Parlamentin, të jetë anëtar i një partie politike, të ketë të drejtë fjale në emërimin e gjyqtarëve në gjykatat më të larta, të nxjerrë dekrete me forcën e ligjit dhe të vendosë një gjendje të jashtëzakonshme. Aprovuar në mënyrë të ngushtë nga votuesit prillin e kaluar, ndryshimet kushtetuese hoqën zyrën e kryeministrit. Për pesë vitet e ardhshme, Erdogani do të jetë kreu i shtetit i Turqisë, kreu i Partisë së tij për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) dhe kreu i Qeverisë.

Erdogani është i sigurt në postin e tij, sepse zgjedhjet e hershme presidenciale kërkojnë një votim parlamentar prej dy të tretave – një skenar i pamundur për shkak të pothuajse shumicës parlamentare të AKP-së. Ai është bërë kështu lideri më i fuqishëm i Turqisë që kur vendi filloi të mbajë zgjedhje të kontestuara në vitet menjëherë pas Luftës së Dytë Botërore. Politikat e brendshme dhe të jashtme të Turqisë tani do të formësohenn nga një njeri i vetëm.

Kjo është sigurisht e kundërta e demokracisë liberale, një tipar kryesor i të cilit është një grup i fuqishëm kontrollesh dhe ekuilibrash institucionale, i projektuar për të kufizuar autoritetin ekzekutiv. Caktimi i kompetencave të mëdha presidentit ekzekutiv sipas kushtetutës së re pasqyron një vizion populist të qeverisë sipas të cilit lideri i zgjedhur, si përfaqësuesi i vërtetë i kombit, nuk duhet të pengohet në ndjekjen e interesave të kombit. Kombi mund ta gjykojë performancën e presidentit vetëm çdo pesë vjet.

Duke miratuar tekstin kushtetues në një referendum, një shumicë e vogël e votuesve turq duket se kanë dhënë bekimin e tyre ndaj këtij koncepti populist të politikave demokratike. Por dy konsiderata kyçe do të kufizojnë mënyrën se si Erdogani përdor grupin e tij të prerogativave të reja.

Fillimisht, pavarësisht se fitoi presidencën, AKP humbi shumicën e saj të drejtpërdrejtë në Parlament. Me një renditje prej 42 për qind, shtatë pikë më poshtë në krahasim me zgjedhjet e nëntorit 2015, AKP qe në gjendje të siguronte 293 nga 600 vende të Parlamentit. Si rezultat, Erdogani do të jetë i detyruar të kërkojë aleanca për të miratuar legjislacionin. Edhe me rolin e zvogëluar të parlamentit sipas kushtetutës së re, kontrolli i legjislaturës mbetet i rëndësishëm për funksionimin efikas të shtetit.

Aleati i Erdoganit në parlament është Partia Lëvizja Nacionaliste e ekstremit të djathtë (MHP). Të dy partitë ishin në një aleancë parazgjedhore dhe Erdogani i detyrohet për fitoren e tij 11 për qind të votave të fituara nga partneri i tij politik. Por, një aleancë më e thellë dhe afatgjatë me MHP-në do të ketë implikime të rëndësishme për politikën vendase dhe qëndrimin ndërkombëtar të Turqisë. Ajo gjithashtu do të kufizojë hapësirën e Erdoganit për manovra politike.

Në vend, MHP përfaqëson rendin dhe sigurinë. Aleanca me MHP-në do të përjashtojë çdo hapje – ngjashëm me nismën e paqes të ndërmarrë nga qeveria e AKP-së në vitin 2015 – ndaj kurdëve të Turqisë. Në të njëjtën mënyrë, MHP nuk ka gjasa të jetë një partner i natyrshëm për çdo reformë demokratike në shkallë të gjerë që synon forcimin e lirive themelore.

Në frontin e politikës së jashtme, qëndrimi i pashmangshëm euroskeptik i MHP-së do të kufizojë më tej hapësirën diplomatike të Turqisë për të rindërtuar marrëdhëniet e saj me partnerët e saj në Perëndim. Gjatë fushatës, lidershipi i MHP-së madje bëri thirrje që Turqia të tërhiqte kërkesën e saj për t’u pranuar në Bashkimin Evropian.

Dobësitë ekonomike të Turqisë përbëjnë një detyrim të dytë dhe po aq të rëndësishëm për autoritetin e Erdoganit. Ndryshe nga ekonomitë me teprica aktuale, si Rusia dhe Brazili, Turqia mbështetet te kursimet e huaja. Turqia e ushqen rritjen e saj duke prekur tregjet ndërkombëtare të kapitalit për të financuar kërkesën e saj vjetore për huamarrjen e jashtme prej rreth 250 miliardë dollarësh. Ky deficit substancial është pasojë e një hendeku kronik midis investimeve dhe kursimit dhe mosarritjeve të kaluara të qeverive të AKP-së për të miratuar reforma strukturore për të rritur produktivitetin e përgjithshëm dhe për të përmirësuar konkurrencën ndërkombëtare të Turqisë.

Një theksim i tepërt në rritje gjatë viteve të fundit i ka acaruar këto vështirësi. Vitin e kaluar, norma e rritjes së Turqisë prej shtatë për qind ishte ndër më të lartat në OECD. Por, politikat ekspansioniste të Erdoganit kanë shtuar paqëndrueshmëritë strukturore të vendit, me inflacionin që po rritet me dy shifra, normat nominale të interesit që arrijnë në 16 për qind dhe deficitin e llogarisë rrjedhëse që tejkalon 6 për qind të të ardhurave kombëtare.

Performanca e Erdoganit si presidenti ekzekutiv i Turqisë do të varet nga aftësia e tij për të hartuar një trajektore që përmbush përparësitë kryesore të MHP-së dhe trajton pasojat e pafavorshme të mbinxehjes ekonomike. Të dy kufizimet kanë gjasa të bëhen më të fortë me kalimin e kohës, me MHP gjithnjë e më të guximshme nga mjetet e saj parlamentare dhe nevojës në rritje të ekonomisë për një rregullim tkurrës.

Megjithatë, gjatë të gjithë mandatit të ardhshëm të Erdoganit, çështja do të mbetet: A munden këto kufizime praktike – dhe si rrjedhim kalimtare – të shërbejnë edhe si një prokurë minimale për garancitë e fuqishme të një sistemi demokratik të konsoliduar? /Project Syndicate/BIRN/