Erdogan në mesazhin e Vitit të Ri: Nuk do të tolerojmë provokime në detet tona

Recep Tayyip Erdogan deklaroi të mërkurën se Turqia nuk do të tolerojë përdorimin e forcës, piraterinë apo provokime të tjera që kërcënojnë interesat e saj detare në Mesdheun Lindor.
Presidenti turk tha se Ankaraja po ndjek me vëmendje rreziqet për “Atdheun e saj të kaltër” - term që përdoret për kufijtë detarë turq - si dhe interesat e turqve të Qipros.
Në mesazhin e vitit të ri, të publikuar nga Presidenca turke, Erdogan tha se Turqia është e vëmendshme për tensionet në rritje në rajon dhe se do të mbrojë të drejtat dhe interesat e saj.
“Asnjëherë nuk do të tolerojmë përdorimin e forcës, piraterinë apo grabitjen në detet tona”, tha ai.
Erdogan gjithashtu u ndal te zhvillimet brenda dhe jashtë vendit gjatë vitit të kaluar, duke përmendur përpjekjet kundër terrorizmit dhe rritjen e ndihmës ekonomike dhe sociale në Turqi.
Lideri turk tha se programi ekonomik i qeverisë po jep rezultate dhe se vendi ka arritur rritje në sektorë të ndryshëm si turizmi dhe industria e mbrojtjes.
Në fjalimin e tij ai foli edhe për çështje rajonale, duke theksuar mbështetjen e Turqisë ndaj komuniteteve jashtë kufijve të saj - përfshirë politikat ndaj Sirisë dhe Gazës - dhe tha se Ankaraja nuk do të heshtë derisa përgjegjësit për vdekjen e mijëra palestinezëve të përballen me drejtësinë. /Telegrafi/

































