Endrit Januzaj njofton largimin nga emisioni “Stars Serving Hope”

Humanisti Endrit Januzaj ka njoftuar publikisht se nuk do të jetë më pjesë e emisionit “Stars Serving Hope”.
Përmes një postimi në rrjete sociale, ai ka sqaruar se angazhimi i tij në ndihmë të njerëzve në nevojë nuk ka qenë asnjëherë i lidhur me ndonjë emision apo platformë të caktuar, por me misionin e tij personal dhe të Fondacionit “Endrit Januzaj”.
“Dua të ju njoftoj publikisht se nuk jam më pjesë e emisionit ‘Stars Serving Hope’. Në çdo vend ku kam qenë deri më tani, kam ndihmuar përmes njerëzve me zemër të madhe dhe me mbështetjen e Fondacionit tim ‘Endrit Januzaj’. Angazhimi im humanitar nuk ka qenë kurrë i lidhur me një emision apo platformë të caktuar, por me një qëllim të qartë: të jem pranë atyre që kanë nevojë”, ka deklaruar ai.
Januzaj theksoi se do të vazhdojë aktivitetin e tij humanitar ashtu siç e ka nisur, me përkushtim dhe dashuri për njerëzit.
“Unë vazhdoj rrugëtimin tim ashtu siç e kam nisur – me përkushtim, me shpirt të pastër dhe me dashuri për njerëzit. Jam thellësisht mirënjohës dhe falënderues për të gjithë ata që më kanë përkrahur dhe nuk më kanë lënë kurrë vetëm në këtë rrugë”, shkroi Januzaj.
Ai ka vite që njihet për angazhimin e tij në ndihmë të familjeve dhe individëve në nevojë nëpërmjet iniciativave të ndryshme humanitare.


















































