Emision i ri filatelik, veprat e artistit Ismet Jonuzi nga Presheva në pullat postare të Kosovës

Posta e Kosovës, përmes Filatelisë së saj, ka lëshuar sot në qarkullim një emision të ri të pullave postare me titullin “Veprat – Ismet Jonuzi”, kushtuar artistit dhe pedagogut të njohur me prejardhje nga Presheva, veprat e të cilit janë ekspozuar në shumë vende të botës.
Në njoftimin zyrtar thuhet se motivet e katër pullave postare përmbajnë imazhe të skulpturave që “në thelb, na kujtojnë se arti nuk është vetëm estetikë, por edhe histori, politikë dhe lutje”.
Ismet Jonuzi, i lindur më 9 shkurt 1961 në Rahovicë të Preshevës, ka ndërtuar një karrierë të gjerë ndërkombëtare, me ekspozita në qytete si Parisi, Venecia, Zvicra, Australia dhe Amerika Latine.
Sipas përshkrimit të Filatelisë së Kosovës, “arti për Jonuzin është një mjet për të ndriçuar errësirën dhe për të ndërtuar një botë më të mirë – jo duke mohuar të kaluarën, por duke e kthyer atë në dritë”.
Katër veprat e përzgjedhura për këtë emision filatelik përfaqësojnë dimensionin transformues të artit:
“Shqiponja e Lirisë”, ndërtuar nga mbetje lufte, është një simbol krenarie që rrëfen kalvarin historik të popullit shqiptar, por edhe fuqinë për të kthyer dhimbjen në dinjitet.
“Shtëpia e Arit” përfaqëson një metaforë të alkimizmit shpirtëror – gjithçka e pavlerë bëhet simbol, strehë për mendimet e harruara dhe shpirtin që kërkon dritë.
“Portreti i Gjyshit”, i punuar në hekur, mishëron kujtesën kolektive të një populli – një thirrje për të mos harruar, për të ndërtuar të ardhmen mbi plagët e së kaluarës.
Në “Karriget prej armësh”, armët e shndërruara në objekte për t’u ulur simbolizojnë një kritikë ndaj militarizmit dhe një thirrje për paqe – jo përmes harresës, por përmes shndërrimit të së kaluarës në mësim.
Pullat postare dhe Zarfi i Ditës së Parë do të jenë në qarkullim postar deri në konsumim të plotë, bëhet e ditur nga Posta e Kosovës. /Telegrafi/






















































