Elina Valtonen viziton KFOR-in në Prishtinë: Diskutohet siguria dhe dialogu Kosovë–Serbi

Zëvendëskomandanti i misionit të udhëhequr nga NATO, KFOR, gjeneral brigade Cahit Irican, priti sot në selinë e KFOR-it në Kampin “Film City” në Prishtinë, ministren e Punëve të Jashtme të Finlandës dhe kryesuese të radhës së OSBE-së, Elina Valtonen.
Gjatë takimit u theksua përkushtimi i vazhdueshëm i KFOR-it për të siguruar paqe, stabilitet dhe siguri për të gjitha komunitetet në Kosovë, si dhe rëndësia e dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian ndërmjet Beogradit dhe Prishtinës.
Gjeneral brigade Cahit Irican vlerësoi profesionalizmin e pjesëtarëve finlandezë dhe shprehu mirënjohje për mbështetjen e vazhdueshme të Finlandës ndaj misionit dhe ndaj paqes e stabilitetit në Ballkanin Perëndimor.
KFOR vijon të zbatojë mandatin e tij të bazuar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të vitit 1999, duke kontribuar për një ambient të sigurt dhe të qëndrueshëm për të gjithë qytetarët e komunitetet që jetojnë në Kosovë, si dhe duke garantuar lirinë e lëvizjes, në çdo kohë dhe në mënyrë të paanshme.
Misioni i udhëhequr nga NATO punon në koordinim të ngushtë me Policinë e Kosovës dhe Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX), në përputhje me rolet e tyre si ofrues të sigurisë.




















































