Elina Svitolina, tenistja që do të shkonte patjetër në luftë, por ka mbledhur 1.5 milion euro ndihmë për Ukrainën

Tenistja Elina Svitolina është pa dyshim, atletja ukrainase më e angazhuar në mbrojtjen e vendit të saj kundër agresionit rus.
Që nga fillimi i agresionit të Rusisë ndaj vendit të saj, Svitolina ka filluar një trend të mospërshëndetjes së tenistëve rusë në fushë dhe ka folur pothuajse çdo ditë në publik, duke treguar se çfarë po ndodh në Ukrainë.
Ajo gjithashtu ka vizituar disa herë vijën e frontit dhe gjatë turneut në Indian Wells ka dhënë një intervistë për Bild në të cilën ka thënë se me kënaqësi do të merrte armën dhe do të mbronte atdheun e saj.
"Unë patjetër do të shkoja në luftë dhe do të mbroja Ukrainën, por mendoj se jam më e dobishme për vendin në këtë mënyrë sesa nëse do të isha në front. Në tre vitet e fundit, kam mbledhur më shumë se 1.5 milion euro për të ndihmuar Ukrainën. Mendoj se është më e dobishme sesa të isha në front me pushkë në dorë", deklaroi Svitolina.
Svitolina tashmë ka udhëtuar disa herë në Ukrainë për të mbështetur bashkatdhetarët e saj.
"Përpiqem të sjell të paktën pak gëzim në jetën e tyre. Familja ime është në Odessa, kam shumë miq atje dhe vija e frontit nuk është larg", ka thënë Svitolina.
Burri i saj, tenisti frencez Gael Monfils ka frikë sa herë që ajo shkon në Ukrainë.
"Gaeli është gjithmonë shumë nervoz kur më duhet të shkoj në Ukrainë, sigurisht që është i frikësuar, por unë vazhdoj t'i shpjegoj se masat për sigurinë time janë shumë të forta. Jam shumë mirënjohës për mbështetjen e tij, sepse e di sa e vështirë është kjo. Nuk jam e sigurt se sa burra do ta kuptonin gjithë këtë", deklaroi 30-vjeçarja ukrainase. /Telegrafi/









































